PAD, drejt një procesi bashkimi me PD-në

Flet kreu i aleancës Demokratike, Neritan Ceka
TIRANE – PAD po shkon drejt një procesi të bashkimit të saj me PD-në. Neritan Ceka, kryetari i kësaj partie, thotë se Aleanca Demokratike do të vazhdojë funksionet si forcë politike deri në zgjedhjet lokale të vitit 2011 dhe më pas mund të shkrihet me Partinë Demokratike. Ceka thotë se tashmë Kodi i ri Zgjedhor e bën të pamundur mbijetesën e partive të vogla dhe shkrirja me partitë e mëdha është e vetmja zgjidhje për të rujtuar disa nga vlerat që mbartin këto forca politike.
“Ky ka qenë një opsion edhe para zgjedhjeve, por duke parë se sistemi favorizon partitë që futen në front, pra sa më shumë parti të merrnin pjesë në fushatë elektorale aq më shumë shanse kishte koalicioni që të fitonte, Aleanca Demokratike qëndroi më vete. Ajo ruajti pavarësinë e saj. Besoj se kjo do të ketë vlerë edhe për zgjedhjet e ardhshme vendore. Ne nuk mendojmë që procesi i shkrirjes, integrimit do kryhet para këtyre zgjedhjeve. Pas atyre zgjedhjeve, në qoftë se do qëndrojë po ky kod që kemi atëherë natyrisht që zgjidhja më e mirë për Aleancën Demokratike është integrimi në Partinë Demokratike”, thotë Ceka.
Për sa i përket marrëveshjes paraelektorale me PD-në, Ceka thotë se ai ka kontaktuar disa herë me kryeministrin Berisha dhe se vetëm pas mbarimit të negociatave me të gjitha partitë e tjera do të shihet në se PAD mund të zërë ndonjë pozicion në qeverisje.
“Natyrisht që negociatat kanë filluar përpara. Kemi pasur kontakte me kryeministrin Berisha. Nuk i kemi lënë të gjitha gjërat për në fund, por natyrisht që për sa i përket vendeve të sakta këto do përcaktohen bashkë me kontribuuesit e tjerë të koalicionit” shprehet Ceka.