E Diel, 1 Nëntor 2026

Varfëria, ndikim tek fëmijët jo vetëm për ushqyerjen

Studimi është bazuar në një kampion prej 3754 familjesh të varfra, u shpreh znj.Zana Vokopola, Drejtore e Institutit të Kërkimeve Urbane, e cila prezantoi raportin paraprak të studimit. Sipas gjetjeve të studimit varfëria ndikon jo vetëm në ushqyerjen e pamjaftueshme të fëmijëve, por edhe në aksesin më të pakët të tyre në arsim, shëndetësi, etj.

Të dhënat nga studimi treguan se fëmijët nga shtresat e varfëra konsumojnë 3.7 herë më pak ushqim sesa fëmijët e tjerë, ndërsa janë më të prekshëm ndaj sëmundjeve kronike; 4 nga çdo 10 fëmijë me sëmundje kronike i përkasin shtresave të varfra.

Ndërkohë, familjet nga shtresat më të varfra shpenzojnë 4.8 herë më pak për arsimimin e fëmijëve të tyre krahasuar me familjet jo të varfra dhe niveli i braktisjes së shkollës për nivelin e detyrueshëm është më i lartë tek ta se sa fëmijët e tjerë. Sa i takon kohës së lirë, studimi thekson se fëmijët nga familjet e varfra shpenzojnë 20.8 herë më pak kohë për aktivitete kulturore dhe argëtuese krahasuar me fëmijët e familjeve jo të varfra.
   
Gjatë prezantimit të studimit, Detlef Palm, përfaqësues i UNICEF, tha se “UNICEF po mbështet reformën qeveritare për rishikimin e programit të transfertës së parave në mënyrë që të funksionojë më mirë për fëmijët. Fëmijët e trashëgojnë varfërinë nga prindërit dhe gjyshërit e tyre".
    
"Një fëmijë i lindur nga një prind që është i varfër ka më shumë predispozitë të jetë i nënushqyer, të ketë më pak qasje ndaj shërbimeve shëndetësore dhe të ketë më shumë vështirësi në shkollë; ka më shumë predispozitë të braktisë shkollën dhe ka më pak predispozitë të gjejë një punë e të bëhet qytetar produktiv. Gjetjet dhe rekomandimet e studimit do të ndihmojnë në transformimin e ndihmës sociale nga një instrument mbijetese në një investim për uljen e varfërisë”, tha Palm.

Zv/Ministrja e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, znj. Filloreta Kodra, vuri në dukje rëndësinë e këtij studimi, i cili sjell një pasqyrë të qartë të ndikimit të zbatimit të skemës së ndihmës ekonomike tek rritja e mirëqënies së fëmijëve. ”Ministria e ka mbështetur realizmin e një studimi të tillë, u shpreh zv/Ministrja, dhe rezultatet dhe rekomandimet e tij do të shërbejnë që Ministria e Punës, por edhe institucionet e tjera, të hartojnë dhe zbatojnë politika sociale të cilat ndikojnë maksimalisht tek rritja e mbështetjes për fëmijët.” /Start/

                                                                                             2011-09-29 18:03
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›