E Diel, 1 Nëntor 2026

PAQE NË DONJECK Anglia dhe Franca kënaqen me një pikë

Përgatiti: Admir Gremi

Mbyllet në barazim 1-1 sfida mes gjelave dhe luanëve. Leskot kalon në avantazh të besuarit e Hodgsonit, por Samir Nasri vulos barazimin për ekipin e Blankut

Kur në një grup prej 4 ekipesh përballen direkt 2 skuadrat më të forta, barazimi është një rezultat mëse i mundshëm. Francë-Angli nuk bën përjashtim nga ai që shpesh konsiderohet si një rregull i pashkruar.

Përfundon në barazim 1-1 në stadiumin Donbass Arena të Donjeckut, sfida më e bllokuar e parë deri tani në këtë Euro 2012. Një rezultat i përcaktuar nga 2 episode të pjesës së parë, i cili nuk ndryshoi as në pjesën e dytë, shumë pak emocionuese.

Impresionet – Prandeli, i cili në çerekfinale do të duhet të përballet me njërin prej këtyre të dyjave, nuk ndihet shumë i shqetësuar. Asnjë prej ekipeve të djeshme nuk të jepte idenë e një kundërshtari të tmerrshëm.

As Anglia, që në mungesë të Runit (do të kthehet vetëm për ndeshjen e fundit në grup ndaj Ukrainës) dhe të të dëmtuarve, Lampard, Berri e Kahill, luan me një taktikë perfekte mbrojtëse të udhëzuar nga Roi Hodgson, me dy repartet shumë pranë, teksa Jang ishte në rolin e sulmuesit të dytë, pas shpinës së Uelbek.

As Franca, që rrallë përfshin Benzemanë në sulmet e saj, teksa jeton falë shpërthimeve individuale të Nasrisë e Riberisë, duke mos patur një lider në mesfushë e në mbrojtje.

Çfarë mërzie – Blank zbret në fushë Alu Diarranë në vend të të dëmtuarit MVila dhe formacionin standard të tij, ndërsa Hodgson shfaq kurajo duke përzgjedhur Okslejd-Çambërlein në vend të Dauning në të majtë.

Momentet e para ishin monotone, sepse anglezët mbroheshin mirë duke parë rrezikshmërinë e ulët të Francës. Rasti i parë ofrohet nga Jang, i cili përfiton nga pasimi i Xhejms Milner në brendësi të zonës, arrin të kalojë portierin Loris, por nuk mundet të konkludojë.

Vendos Siti – Një rast i artë e i pashfrytëzuar, ai i mesfushorit të Sitit. Por, vazhdimi i ndeshjes do të vendosej prej lojtarëve të kampionëve të Anglisë.

Në fillim është Xholeon Leskot, protagonist i një episodi që mjafton për të zhbllokuar një ndeshje të ngrirë. Diarra humbet mbulimin një për një ndaj mbrojtësit, pas goditjes së dënimit të Xherrard, dhe Leskot nuk gabon pas goditjes me kokë, që ndryshon shifrat në 1-0.

Disavantazhi shfaqi një Francë më pak statike, e cila gjen golin e barazimit pas ndërhyrjes fillestarë të Xho Hart ndaj Diarrasë. Riberi fton Nasrinë ti japë fund aksionit, teksa lojtari i Sitit befason Hartin në shtyllën e parë, duke e lënë portierin pa mundësi reagimi. 1-1 dhe të gjithë shkojnë në dhomat e zhveshjes.

Rrezikon Franca por… – Asgjë nuk ndryshon në panoramën e ndeshjes së ofruar gjatë pjesës së dytë. Franca zhvillon volum loje, ndërsa Anglia mbrohet. Kjo edhe për shkak se Anglia, kur ka topin në zotërim, ka një varietet zgjidhjesh tepër të limituar. Parker nuk është krijues, ndërsa Xherrard bën më mirë në fazën mbrojtëse, sesa atë sulmuese.

Jang zhduket, ndërsa Uelbek vuan prej vetmisë. Franca, me Riberi e Nasri që kërkojnë befasinë, provon ende të jetë zot i fushës falë shpërthimeve nga krahët të dy mbrojtësve anësorë, Evra e Debushi, shumë të zotë në mbajtjen e ekipit përpara.

Por, asgjë nuk mund të bëhej, sepse faza mbrojtëse e ideuar prej Hodgsonit është tepër e organizuar. Kështu, nuk mjafton një fund i trumbetuar për francezët: barazimi bën gjithnjë e më të mundshme kualifikimin e të dy skuadrave. Por, pikëpyetjet mbeten ende.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›