UKRAINA NE FESTE Shevçenko 2 Ibrahimoviç 1
Gjithçka ndodhi në harkun e dhjetë minutave gjatë pjesës së dytë. Andrij Shevçenko përmbys golin e shënuar nga Zllatan Ibrahimoviç dhe Ukraina fiton 2-1 ndaj Suedisë
Një Shevçenko i rilindur i ka dhënë Ukrainës fitoren 2-1 ndaj Suedisë në ndeshjen e parë për vendasit në Euro 2012. Në stadiumin Olimpik të Kievit, kombëtarja e drejtuar nga Bllohin gjunjëzon nordikët dhe ngjitet në krye të Grupit D. Ndeshja u vendos në harkun e dhjetë minutave gjatë pjesës së dytë.
Ibrahimoviç kaloi në avantazh miqtë, por Shevçenko shënoi dy gola me kokë dhe përmbys rezultatin. E kishte pritur këtë moment gjatë gjithë karrierës së tij të lavdishme. Ishte ajo që i mungonte! Europiani i parë, i luajtur në shtëpi, në Kiev.
Edhe pse në moshën 36-vjeçare dukej pak vonë, Sheva tregoi se ka raste kur pasaporta nuk tregon të vërtetën. Pasi bindi Bllohinin, që në fillim mendonte ta linte në stol, dhe pasi pa Zllatan Ibrahimoviçin të kalonte Suedinë në avantazh, Andrij u ngjit në skenë duke shkëlqyer.
Dhe të mendosh se ndeshja e Shevës kishte filluar me një goditje të gabuar diagonalisht, pavarësisht nga pozicioni i favorshëm. Më pas erdhi një problem fizik që u duk se do ta nxirrte jashtë lojë.
Por ndodhi e kundërta, ai mori prej dore Ukrainën dhe nisi të rriste lojën e tij në nivelet më të larta. Në minutën e shtatë të pjesës së dytë, Ibrahimoviç tund rrjetën dhe ngrin Kievin. Zllatani përfiton më së miri nga një pasimi i marrë nga Kallastrom, duke korrigjuar gabimin e pjesës së parë kur goditi shtyllën me kokë.
Por lavdia e sulmuesit të Milanit zgjat pak, sepse vjen momenti i një ish-milanisti, Andrij Shevçenkos. Minuta e 55-të, krosimi i Jarmolenkos është shumë i bukur, Sheva fluturon sipër Melbergut edhe e çon topin në portë.
Kaq do të mjaftonte për të bërë detyrën ndaj kombit të tij, për të shënuar rikthimin, por vetëm shtatë minuta më vonë Shevçenko përsëritet. Gjatë një goditje nga këndi të ekzekutuar nga Selin, sulmuesi i Dinamos së Kievit i merr kohën Ibrës që po e markonte dhe godet me kokë në shtyllën e parë, duke mos i dhënë mundësi reagimi portierit Isakson.
Veç fitores 2-1, që ngjason si një çmim karriere për Shevçenkon, Ukraina rifiton entuziazmin dhe besimin, sepse paraqitja e tyre nuk ishte aspak keq. Djemtë e Bllohinit dominuan për sa i përket qarkullimit të topit. Nazarenko, Voronin dhe Gusev ishin senatorët e tjerë në një ditë të mirë.
Pastaj duhet vlerësuar loja në krah e Jarmolenkos dhe Konopljankës, ky i fundit vetëm 22-vjeç dhe jo rastësisht i kërkuar nga Arsenali. Kono është i shpejtë, driblon kundërshtarët, ka karakter dhe tenton të godasë portën vazhdimisht, pavarësisht se shpërdoroi rastin më të mirë për Ukrainën gjatë pjesës së parë.
Nga ana tjetër, Suedia rrezikon seriozisht eliminimin. Manovra nuk është e rrjedhshme dhe rrezikshmëritë e vetme i krijon Ibrahimoviç, nga i cili kalojnë të gjithë topat, por shumë larg zonës kundërshtare.
Elmander ka një problem me kaviljen dhe nuk ishte titullar duke i lënë vendin Rozenbergut që nuk la asnjë gjurmë, sikurse Ola Toivinen. Përshtypja e parë është se hija e rëndë e Zllatanit nuk i lejon të shprehen shokët e skuadrës.
Eshtë e vërtetë që i dha avantazhin dhe i krijoi mundësinë Elmanderit të shënonte në minutën e fundit, por ajo goditje shkoi mbi traversë, sepse ishte Andrij Shevçenko ai që kishte rezervuar një vend në historinë e futbollit. Në ndeshjen e ardhshme, Suedia do të ndeshjet me Anglinë, ndërsa Ukraina do të vihet përballë Francës.
UKRAINE 2
SUEDI 1
Shënues: Shevçenko 55, 62 / Ibrahimoviç 51
Ukraina: Pjatov, Gusev, Mikhalik, Khaçeridi, Selin, Jarmolenko, Timoshuk, Konoplianka (Deviç 93), Nazarenko, Voronin (Rotan 85), Shevçenko (Milevski 81). Trajner: Bllohin.
Suedi: Isakson, Lustig, Melberg, Grankvist, M.Olson, Elm, Kallstrom, Larson (Vilhelmson 68), Ibrahimoviç, Toivonen (Svenson 62), Rozenberg (Elmander 71). Trajner: Harmen.
Gjyqtar: Synet Çakir (TURQI)
Kartonë të verdhë: Kallstrom, Elm
UKRAINE SUEDI
2 gola 1
11 goditje 11
3 goditje në kuadrat 7
8 goditje jasht렠 4
21 goditje dënimi 14
3 goditje nga këndi 2
2 pozicione jashtë loje 1
0 kartonë të verdh렠 2
0 kartonë të kuq 0
54% qarkullimi i topit 46%
50 gola në 110 ndeshje me Ukrainën është bilanci i jashtëzakonshëm i Andij Shevçenkos, ish-fitues i Topit të Artë, i cili ka debtuar me kombëtaren në vitin 1995. Asnjë nuk lojtarët e pranishëm në Euro 2012 nuk ka pasur një jetëgjatësi të tillë në përfaqësuese
5 veprimtari të mëdha ka luajtur Olaf Melberg me kombëtaren e Suedisë. Në të pesë këto veprimtari (europianë + botërorë), ai nuk ka munguar asnjë minutë në fushën e lojës. Edhe mbrëmë ndaj Ukrainës ishte titullar dhe nuk u zëvendësua.
0 herë ka marrë pjesë Ukraina në fazën finale të kampionatit europian, kësisoj ndeshja e djeshme në shtëpinë e tyre ndaj Suedisë shënoi debutimin e tyre në këtë veprimtari. Ukraina ka marrë pjesë në një botëror, në vitin 2006, kur arriti çerekfinalet.
