E Shtunë, 31 Tetor 2026

Unioni i Gjyqtarëve: Po spekulohet për atentatin e Nunit



Tiranë - Unioni i Gjyqtarëve ka reaguar dje ndaj asaj që e ka cilësuar një fushatë spekulimesh denigruese për ngjarjen e plagosjes së rëndë të gjyqtarit Ardian Nuni. Nëpërmjet një deklarate për mediat, Unioni i Gjyqtarëve shpreh keqardhjen e thellë dhe indinjatën legjitime që klima që i parapriu dhe motivoi aktin kriminal të tentativës së vrasjes së të nderuarit gjyqtar i Gjykatës së Lartë, Ardian Nuni vazhdon të endet ndjellakeqe dhe ogurzezë në jetën e përditshme të opinionit shoqëror. Kjo ngjarje kriminale nuk ishte e para ndaj shërbëtorëve të Drejtësisë, por ishte më e rralla dhe më shqetësuesja për nivelin që godiste. Nëse janë të vërteta ato që emetohen çdo ditë në media dhe që kanë burimin që citohet, të tilla si “gjyqtari refuzon të bashkëpunojë” apo “gjyqtari nuk jep celularin”, këto janë jo vetëm fyerje të opinionit publik, në përgjithësi dhe komunitetit gjyqësor, në veçanti, por të bëjnë të besosh që krimi vazhdon thekson deklarata e gjyqtareve. Askush, as Policia dhe as Prokuroria, nuk mund ta fshehë paaftësinë për hetimin dhe zbulimin e kësaj ngjarjeje kriminale, pas spekulimeve denigruese të kësaj natyre. Është fatale për shoqërinë dhe aspiratën e shtetit të së drejtës që deri tani më tepër është folur për viktimën se për kriminelin, a thua se ky i fundit nuk ka asnjë faj. Ndaj Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, në përbërje të të cilit është edhe gjyqtari i nderuar Ardian Nuni i bëjnë thirrje opinionit publik që së bashku t’i thonë jo me forcë dhe ta ndalojnë këtë fushatë spekulimi dhe denigrimi të paprinciptë dhe vrastare”, – përfundon deklarata e Unionit të Gjyqtarëve.

Vjedhjet, dy të kërkuar vihen në pranga

Tiranë - Dy persona janë arrestuar nga uniformat blu nën akuzën e vjedhjes së makinave. Policia e Tiranës bëri të ditur për gazetën se ka arrestuar një i kërkuar nga Policia e Dibrës dhe një tjetër pasi gjykata kishte vendosur masën e sigurisë, “shtrim i detyruar në spitalin e burgut”. Sipas policisë, është bërë kapja e Veip Melanit 47 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Tiranë. Ai është ndaluar pasi ishte i shpallur në kërkim nga Gjykata e Dibrës, që ka dhënë masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprën penale të “trafikimit të mjeteve motorike”. Po ashtu është arrestuar edhe Eris Kullahu, 25 vjeç, lindur në Kuçovë dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për “vjedhje”. Sipas policisë, Kulahu ishte i shpallur në kërkim pasi Gjykata e Berat me vendim numër 55, të datës 30 maj 2008, ka dhënë masën e sigurisë “shtrim të detyruar në Spitalin e Burgut”.

Kapet me armë pa leje, arrestohet 46-vjeçari

Tiranë - Kapet me armë pa leje, vihet në pranga një 46-vjeçar nga Tirana. Policia e kryeqytetit bëri të ditur për gazetën se dje oficerët e Parandalimit të Krimit pranë Komisariatit të Policisë Nr. 4, kanë bërë arrestimi në flagrancë të Reshat Hidës, 46 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Brar, komuna Dajt. I arrestuari ishte dhe më parë i dënuar nën akuzën e “armëmbajtjes pa leje”. Policia e Tiranës tha se arrestimi i tij është bërë pasi është kapur në flagrancë pranë ish-Repartit 3700 me një armë zjarri pistoletë tip “TT” e vitit 1952. Uniformat blu thanë se, Hida e mbante armën pa leje, që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Burimet thanë se materialet në ngarkim të 46-vjeçarit i kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës, për veprën penale “armëmbajtjes pa leje”.

Kapen me armë të dyshuarit për vjedhjen e bizhuterive

Tiranë - Policia e Tiranës ka vënë në pranga dhe dy persona të tjerë të akuzuar për vjedhje makinash dhe sende të tjera. Burime zyrtare nga kjo polici thanë se dje efektivët e Sektorit kundër Vjedhjes së Automjeteve, në vazhdimësi të operacionit “Anteo”, kanë vënë në pranga E. Stafugën, 42 vjeç, i dënuar më parë për “vjedhje me armë” dhe P. Stafugën, 37 vjeç, lindur dhe banues në Fushë-Krujë. Policia tha se arrestimi i tyre u krye pasi ata dyshohet të kenë shitur një sasi bizhuterish në Fushë-Krujë në dyqanin e qytetarit me inicialet Xh. E., bizhuteri të cilat kanë qenë brenda automjetit tip “Benz” me targa TR 6940 L, vjedhur më 27 janar 2009 në Tiranë. Gjatë kontrollit të ushtruar dy të arrestuarve, policia ka kapur dhe një armë pistoletë e tipit “TT”, model 54, e kalibri 7.62 milimetër, mjetin me targa TR 1294 H i cili dyshohet se është i vjedhur, 37 varëse, 13 byzylykë, 41 vathë dhe 4 unaza.

Ishte në kërkim për trafik klandestinësh, arrestohet

Korçë - Kapet në Korçë 36-vjeçari i kërkuar nga Policia e kryeqytetit për trafik klandestinësh. Burime zyrtare nga Policia e Korçës bënë të ditur për gazetën “Albania” se seksioni i Luftës kundër Trafiqeve të Paligjshme realizoi kapjen e personit në kërkim Gëzim Hoxha, lindur dhe banues në fshatin Cangonj të rrethit Devoll. Policia bëri me dije se ndaj tij Gjykata e Tiranës kishte caktuar si masë sigurie “arrestin me burg”, për veprën penale të “ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit”.
Pikërisht për këtë akuzën ai ishte shpallur si person në kërkim nga Policia e Tiranës. Pas arrestimit të tij, janë kryer veprimet procedurale dhe Hoxha është dërguar në Tiranë.

16 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›