PARIS – ”Banksy francez” dhe ylli i “Daft Punk” i japin një pamje të re urës më të vjetër të qytetit

PARIS, 21 maj /ATSH-AFP/ – Turistët dhe banorët e Parisit u mahnitën sot nga pamja e urës më të vjetër të kryeqytetit francez, e cila është transformuar në një “shpellë” gjigante falë një vepre spektakolare të artistit të njohur të artit të rrugës, JR.
I quajtur shpesh “Banksy francez”, JR e ka mbuluar urën historike “Pont Neuf” me pëlhurë të pikturuar në nuanca të bardha, gri dhe të zeza, duke krijuar iluzionin e një shpelle shkëmbore gjigante.
Vepra artistike, me gjatësi 120 metra, gjerësi 20 metra dhe lartësi që varion nga 12 deri në 18 metra, tërhoqi menjëherë vëmendjen e qindra vizitorëve përgjatë brigjeve të lumit Seine në një mëngjes me diell pranveror.
“Është diçka që bie menjëherë në sy”, tha 37-vjeçarja Stéphanie Da Cruz.
“Të krijon përshtypjen e maleve, të Alpeve apo peizazheve të egra natyrore dhe kontrasti me arkitekturën elegante të Parisit e bën veprën tepër befasuese”, shtoi ajo.
JR, i cili e nisi karrierën si grafitist në rrugët e Parisit dhe sot konsiderohet një nga artistët më të njohur francezë të kohës sonë, e ka konceptuar projektin si një homazh për çiftin artistik Christo and Jeanne-Claude.
Ata fituan famë botërore duke mbështjellë me pëlhurë të njëjtën urë në vitin 1985, një instalacion që tërhoqi miliona vizitorë, si dhe më vonë “Arc de Triomphe” (Harku i Triumfit) në vitin 2021.
“Është e pabesueshme”, tha kalimtarja Caroline Masson.
“Kam dëgjuar për vite me radhë histori rreth projektit të Christo-s në “Pont Neuf “dhe nuk e kisha imagjinuar kurrë se do të shihja si e rritur një tjetër transformim të tillë. Është vërtet spektakolare”, shtoi ajo.
Nga 6 deri më 28 qershor, vizitorët do të kenë mundësinë të hyjnë brenda instalacionit artistik. Përvojën do ta shoqërojë një kolonë zanore e krijuar nga Thomas Bangalter, gjysma e legjendarit duet francez ”Daft Punk”.
Sipas JR, projekti synon të “vendosë përballë ashpërsinë dhe natyrën e egër me elegancën e rafinuar të Parisit, duke krijuar një dialog mes së kaluarës dhe së tashmes”. Ai shtoi se shpella simbolizon njëkohësisht të panjohurën, frikën e hyrjes në një hapësirë misterioze dhe magjepsjen që ajo ushtron mbi njerëzit.
Organizatorët presin një fluks të madh vizitorësh, veçanërisht turistësh të huaj, pasi instalacioni ndodhet pranë disa prej monumenteve më të famshme të qytetit, përfshirë Notre-Dame de Paris.
“Është e mrekullueshme”, tha turisti kanadez Peter Stuart.
“Mënyra se si Parisi luan me hapësirat urbane është e jashtëzakonshme”, shtoi ai.
Vepra, e titulluar “La Caverne” (Shpella), është projekti më i fundit i artit publik monumental që zbukuron Parisin. Madje edhe skeptikët e artit bashkëkohor duket se janë bindur.
“Unë e dua Parisin ashtu siç është, por duhet ta pranoj se kjo është magjepsëse”, tha Vince, një turist 75-vjeçar nga Nju Jorku./ /Ad.Ab./ a.jor.