E Shtunë, 31 Tetor 2026

PASOK: Solidarizohemi me grevën e PS

TIRANE- Partia e majtë greke PASOK, drejtuar nga Papandreu i ka dërguar sot Partisë Socialiste një mesazh solidariteti për grevën dhe grevistët. Në këtë mesazh i bëhet thirrje qeverisë të dëgjojë thirrjet dhe shqetësimet e opozitës, duke vepruar në gjetjen e një zgjidhjeje, sipas PASOK.

“PASOK dëshiron të shprehë solidaritetin e tij me anëtarët e Partisë Socialiste të Shqipërisë, të cilët janë në grevë urie për të kërkuar transparencën dhe ndershmërinë në të gjithë zgjedhjet e ardhshme. PASOK i bën thirrje qeverisë shqiptare të dëgjojë zërat dhe shqetësimet e opozitës dhe të veprojë në mënyrë konstruktive pa humbur më kohë” – thuhet në mesazhin e PASOK

Në këtë letër, PASOK bën me dije se mbështet përpjekjet e PS, dhe liderit të saj Edi Rama për arritjen e transparencës së zgjedhjeve.”Që në fillim të krizës politike aktuale në Shqipëri, PASOK ka mbështetur përpjekjet e PS dhe liderit të saj Edi Rama për demokraci të vërtetë, transparencë të plotë dhe mirëqeverisje. Këta elementë janë parakushte për progresin politik dhe social. Vetëm në këtë mënyrë ne mund të arrijmë kohezionin social dhe stabilitetin në sistemin politik” – thuhet në mesazhin drejtuar PS.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›