E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gërdeci”, nga fishekët te predhat e rënda

Tre urdhra të Ministrisë së Mbrojtjes në zbatim të një vendimi qeverie për demontimin e municioneve të lehta.

Lorenc VANGJELI

Hetimi i tragjedisë së Gërdecit ka hyrë në epilogun e tij. Një “kompani njerëzore”, me ushtarakët më të lartë të vendit dhe punonjësit më të lartë civilë të Ministrisë së Mbrojtjes, kryesuar nga ish-ministri i tyre Fatmir Mediu, janë konsideruar të pandehur nën akuza të ndryshme nga Prokuroria e Përgjithshme dhe është pothuaj gati nisja e procesit gjyqësor, ndoshta më të gjatit, më të ndërlikuarit dhe më të bujshmit të pluralizmit. Rreth 40 veta dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën apo dhe, më keq akoma, kanë shkaktuar vrasjen masive të 26 personave në Gërdec më 15 mars të vitit të kaluar dhe kanë shkatërruar me eksploziv pronat private. Në rastin më të mirë, e gjithë qasja “qëllimmirë” për demontimin e municioneve të dala jashtë përdorimit, në pronësi të ushtrisë shqiptare, është bërë, të paktën sipas akuzës publike, në mënyrën më naive të mundshme. Një hibrid amerikano-shqiptar, kompania SAC dhe “Albademil”, pretendonin demilitarizimin e municioneve të lehta të ushtrisë; kërkesa e SAC gjeneroi mbas peripecish të “çuditshme” miratimin e Vendimit Nr.138 të Këshillit të Ministrave, i cili, që nga data fatkeqe 14 mars 2007, do të bëhej shtrati ligjor për ndërtimin e fabrikës së vdekjes dhe që do të citohej pothuaj në çdo shkresë të dalë nga Ministria e Mbrojtjes. Por për të mbërritur edhe deri aty, te Vendimi 138, ka pasur të tjera përplasje dhe pakënaqësi deri dhe brenda vetë Këshillit të Ministrave. Ridvan Bode, ministër i Financave, sa për të marrë një shembull, ka qenë kundërshtar i mënyrës së propozuar nga Ministria e mbrojtjes për demontimin e municioneve, gjë që ka sjellë që tentativa e parë për të dhënë një prokurim të drejtpërdrejtë për firmën amerikane, e bërë në datën 17 shkurt 2007, të dështonte. Vetëm një muaj më pas, më 14 mars, do të miratohej Vendimi i famshëm 138. Por kjo është një tjetër histori. Një anëtar i qeverisë, i pranishëm në këtë mbledhje, në kushte të konfidencialitetit të plotë, ka pranuar të zbardhë detaje krejt të panjohura më parë për publikun për mënyrën se si është zhvilluar ajo mbledhje dhe pasardhësja e saj. Ai pranon se nuk është thirrur të dëshmojë në prokurori dhe që nuk është shprehur kurrë më parë publikisht për këtë çështje. Por duke gjykuar nga materiale të publikuara më parë, ai vazhdon të mbrojë vendimin e marrë më 14 mars 2007 të cilin e ka votuar dhe vetë, por mendon se tragjedia u gatua më pas dhe pikërisht në shkelje të këtij vendimi. Dhe pikërisht, vënia në dispozicion nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes jo më të municioneve të kalibrit të vogël, por të predhave me kalibër të madh, ishte shkaku i dukshëm që solli dhe shpërthimin. Revista MAPO ka mundur të sigurojë disa dokumente, pjesë e sherrit të vjetër mes ushtarakëve dhe civilëve në Ministrinë e Mbrojtjes, në lojën e pingpongut të fajësisë mes këtyre strukturave që menjëherë mbas tragjedisë nxituan të fajësojnë njëra-tjetrën.
Leja e Këshillit të Ministrave
“Ministria e Mbrojtjes, në funksion të reduktimit të stoqeve të vjetruara të municioneve të kalibrit të vogël, të nxjerra nga përdorimi e armatimi, mund të realizojë shitje për qëllim çmontimi dhe çmilitarizimi. Ky proces përfshin shitjen e municionit, mbikëqyrjen e procesit të çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve dhe të nënprodukteve, të rrjedhura prej tyre”. Kjo është pika 1 e kreut të katërt të Vendimit 138. Dhe nëse në Gërdec do të vijonte furnizimi vetëm me këtë lloj municioni, me siguri matematike nuk do të mund të mbërrihej tek ai shpërthim tronditës. Por çfarë ndodhi deri në datën 15 mars 2008? Mbas daljes së vendimit të Këshillit të Ministrave, strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes “porositen nga kabineti i ministrit” për përgatitjen e urdhrit “Për ngritjen dhe funksionimin e komisionit të miratimit të çmimit të armëve, teknikës, pajisjeve, municioneve dhe lëndëve eksplozive të hequra nga armatimi dhe përdorimi në forcat e armatosura”. Në datën 2 prill 2007, ish-ministri i Mbrojtjes firmos Urdhrin e tij me Nr. 417, ku miraton ngritjen e këtij komisioni me pesë veta. Ai kryesohej nga drejtori i instalimeve dhe menaxhimit të burimeve të mbrojtjes, një specialist juridik, dy financierë dhe një specialist i municioneve. Pothuaj dy vjet më pas, në shkurt të këtij viti, të gjithë anëtarët e këtij komisioni janë marrë gjithashtu të pandehur për veprimtarinë e tyre. Çdonjëri prej tyre është shpërblyer me 5000 lekë për pjesëmarrje në mbledhje. Urdhri ka llogaritur dhe vlerën e përfitimit nga operacioni që ishte në nisje e sipër edhe për ndërmarrjen MEICO, i cili varionte sipas vlerës së kontratës; kështu për kontrata deri në 50 mijë dollarë, MEICO merrte 10 për qind për kontrata, mbi një milion dollarë merrte 4 për qind. Zbatimi i këtij urdhri do të ndiqej nga sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë, aktualisht edhe ky me statusin e të pandehurit. Deri këtu, derivimi nga Vendimi 138 i Këshillit të Ministrave është fare normal. Por ditët deri në 15 marsin e 2008-s kishin nisur të numëroheshin mbrapsht.
Urdhri 550
Një muaj më vonë del një tjetër urdhër i ish-ministrit të Mbrojtjes, me Nr. 550, datë 25 prill 2007. Është një urdhër që gjithashtu i referohet të njëjtit vendim qeverie dhe “bazohet në ofertat e bëra në Ministrinë e Mbrojtjes nga subjekte të ndryshme për shitje për çmontim dhe demilitarizim...”. Në fakt ka pasur vetëm një ofertë të tillë, ajo e SAC-ut amerikan, që ndërkohë kishte nisur një “martesë” të lumtur me “Albademil”-in e Delijorgjit. Ofertat e tjera ishin kërkuar nga ndërmarrjet ushtarake në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes. Dy nga drejtuesit e tyre gjithashtu janë në ndjekje penale për falsifikim dokumentesh; dyshohet se kanë manipuluar me çmimin e afruar për të njëjtën punë që pretendohej se do të bëhej në Gërdec. Fillimisht, ofertat e tyre ishin më të dobishme financiarisht se ato të SAC-ut, por më pas ato “u rishikuan” duke i lënë terren të lirë kompanisë private. Por dhe kjo është histori tjetër. Pjesa më interesante e këtij urdhri është kalimi në favor të kontraktorit i sasisë së municioneve të vjetra. Gjithashtu në përputhje me Vendimin 138, i cili përcaktonte që këto municione të ishin të kalibrit të vogël. Konkretisht: SAC do të merrte fishekë të kalibrit 7.62x54 mm gëzhojë tunxhi 100 milionë copë; fishekë 12.7 mm, gëzhojë tunxhi, 20 milionë copë; fishekë kalibër 14.5 mm, gëzhojë tunxhi, 20 milionë copë. Interesante është të shihet vlerësimi mbas cilitdo lloj municioni, kërkohet të jetë me gëzhojë tunxhi. Për një arsye të thjeshtë, tunxhi kushton shumë më tepër se çeliku (fishekët janë dhe me gëzhojë të këtij materiali). Dhe për fat të keq, ushtria shqiptare nuk i ka specifikuar dhe magazinuar fishekët e saj sipas llojit të gëzhojës. E vërteta është se SAC interesohej vetëm për tunxhin, ndërkohë që për Ministrinë shqiptare të Mbrojtjes kjo nuk duhet të konsiderohej problem: ajo po kërkonte të largonte municionin e saj të tepërt dhe të vjetër. Në fakt nuk po ndodhte kështu. Dhe pikërisht këtu nis dhe historia gjithashtu fatkeqe që kulmoi në Gërdec dhe që sot është duke trokitur në gjykatë. Sepse në këtë urdhër përcaktohet edhe që: “Komanda e Forcës së Bashkuar ngarkohet të vërë në dispozicion të këtij procesi një sipërfaqe terren në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes të ndodhur në Gërdec, Vorë”. Numërimit mbrapsht drejt tragjedisë po i vinte fundi.
Predhat e rënda
Në vjeshtën e vitit 2007 nisi të bëhet e dukshme problematika “tunxh-çelik” i gëzhojave të municioneve. Kontraktori privat që kërkonte tunxh e kishte gjithmonë e më të vështirë të siguronte dhe të furnizohej me këtë lloj municioni. Zgjidhja u gjet. Sërish duke iu referuar Vendimit Nr. 138 të qeverisë, atij do t´i viheshin në dispozicion tashmë të tjera lloj municionesh, kësaj radhe predha të rënda. Më 7 dhjetor 2007, ish-ministri i Mbrojtjes firmos urdhrin për kalim municioni ndërmarrjes MEICO. Sërish municione të specifikuara: me gëzhojë tunxhi; sërish procesi do të bëhej në Gërdec. Është siguruar tabela me municione të kalibrave nga 20 mm deri në 152 mm, gjithsej në masën 11184.40 tonë, një pjesë e të cilave nuk mbërritën kurrë në Gërdec, kurse një pjesë tjetër, e llogaritur vetëm me përafërsi, shkaktoi atë shpërthim tragjik, tre muaj më pas, më 15 mars 2008. Këtyre municioneve u ishte prerë fletëdalja nga depot e ushtrisë, në kundërshtim të plotë me Vendimin 138, i cili kërkonte që: “Ministria e Mbrojtjes, në funksion të reduktimit të stoqeve të vjetruara të municioneve të kalibrit të vogël, të nxjerra nga përdorimi e armatimi, mund të realizojë shitje për qëllim çmontimi dhe çmilitarizimi”.
Të gjithë hartuesit e këtyre urdhrave tashmë janë marrë nën hetim me statusin e të pandehurit në një proces që deri tani ka vetëm tre të arrestuar. Përplasja e provave shkresore dhe dëshmive të secilit prej pjesëtarëve të “kompanisë” së të pandehurve ka shumë mundësi të nxjerrë dhe një përgjigje të thjeshtë: pse u kalua nga fishekët e kallashnikovit te predhat thërrmuese dhe predhat 152 milimetërshe të obusëve model 37? Ato i bashkonte me njëra-tjetrën vetëm një fakt; që kishin gëzhojë tunxhi. Dhe tunxhi kushtonte shumë më tepër se çeliku në bursë, një fakt që solli një “aktor fatal” më shumë jo vetëm në “bursën” njerëzore të goditur në Gërdec, por dhe atë penale në një vend ku të gjithë i falen çmimit më të lartë.

Marrë nga revista MAPO

9 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›