Friedman: Shpëtojeni shpëtimin!
Adelina Marku-Ibrahimi
Nuk u desh as 1 muaj qeverisje dhe ky koalicion solli ligje, ca nga të cilat shqiptarët në Maqedoni ëndërronin t’i bënin e që t’i vinin në makinerinë e zbatimit pastaj. Ligje këto të cilat nga goja e shumë intelektualëve e opinionistëve shqiptarë, por dhe maqedonas, me aq sa ndjek, u cilësuan si degraduese të Marrëveshjes së Ohrit; degraduese për shqiptarët dhe aspak triumfaliste për një kuptim shteti demokratik. Këtyre ditëve, pas 3 muaj ekzistence të këtij koalicioni, mes shqiptarësh flitet e debatohet, si asnjëherë më parë, për këtë lloj degradimi. Dilema e shqiptarëve që shkruajnë e bartin brengë është megjithatë fisnike, pasi gabimet i kërkon në taborin e vet fillimisht. Ne të gjithë pohojmë se fjala degradim nuk mund të zëvendësohet për t’u arsyetuar me “këto janë vetëm zgjidhje provizore”, sepse ligjet, në parim sillen që të jenë të qëndrueshme, të kapshme dhe realisht të zbatueshme. Po t’i besonim variantit provizor, logjikisht presim që Marrëveshja e Ohrit të jetë po ashtu zgjidhje provizore, e si pasojë, Kushtetuta po ashtu, ndërsa 2001-shin ta besonim të ishte kod komploti ndaj këtij territor gjeografik.
Pastaj, në mossukses përcaktimi e ndarje ideologjish, koalicionet qeveritare, të kërkuara të jenë multietnike, preferojnë më së shumti një jetë provizore, e cila, mbi të gjitha, nuk prodhon qëndrueshmëri sistemi, e si pasojë, qëndrueshme shteti.
Pastaj, një shtet multietnik (ish-pjesë e domino-efektit të shkatërrimit të ish-Republikës Federative Jugosllave) në të cilin ka kërkesa për zgjedhje të shpeshta, me sajesa koalicionesh provizore, që synojnë prurje ligjesh provizore, gjoja për t’u standardizuar në kohë me BE-në, parashtrohet me të drejtë dhe pyetja: Sa provizore është jeta multietnike e këtij shteti?
Pastaj, kur parashtrojmë pyetjen e këtillë, doemos që e kemi edhe më të arsyeshme të pyesim se sa janë provizorë edhe kufijtë e këtij shteti. Pastaj, kur fjala provizore bëhet njëkohësisht pjesë e fjalorit politik, analitik, akademik dhe të masës, shteti e humb kuptimin e vet! Si pasojë, provizorja prodhon paranojën për veten tënde dhe timen!
Doemos që kësisoj, e me plot të drejtë, fqinjët tanë, pa nevojë shpalimi megalomani (në parim ne ballkanasit jemi të prirë të luajmë lojën e megalomanit, pa justifikuar potencialin tonë real në të vërtetë) fillojnë të na trajtojnë si pjesë të tyre përderisa qytetarët binden nga ajo se ç’dëgjojnë nga mesazhet politike se madje edhe provizorisht, së shpejti do të mbajnë pasaportat e këtij shteti.
Pra, në fakt, Maqedonia del se nuk është më as në dimensionin e tranzicionit nga një sistem në tjetrin, përderisa në tentim kalimi të kësaj ure, ajo vetëdëshiroi të zgjedhë filozofinë provizore për ekzistimin e vet.
Si pasojë, i/e nderuar lexues/e, ndërtimi i demokracisë është zëvendësuar me paranojën nga efektet e bërjes politikë provizore në subkoshiencën tonë qytetare. Një titull kolumne shkruar nga Friedman “Shpëtojeni shpëtimin”, dedikuar zgjedhjeve presidenciale në SHBA, shumë puthshëm mund t’i përshtatet realitetit ose historicizmit që shënon aktualisht Maqedonia. Doemos që njeriu, mbi të gjitha, tenton të shpëtojë veten, e si rezultat, meqë aura e qenësishmërisë sime është në këtë shtet, them se gjithmonë mund të shpëtojmë (njeriu ka që në lindje ndjenjën e mbijetesës si pjesë neuroni zhvillimor) nga filozofia provizore (paranoja) për vetveten dhe territorin gjeografik ku veprojmë. Kjo mund të ndodhë vetëm atëherë kur të flasim hapur edhe për alarmin se megjithatë vuajmë nga frustrime identike, të dy popujt më të mëdhenj në Maqedoni, si shqiptarët, ashtu dhe maqedonasit. Nëse shqiptarëve në Maqedoni me dekada, përmes një sistemi të korruptuar mentalisht e strukturalisht iu është denigruar vetëbesimi për vlerësim e njohje të identitetit kulturor, proces ky i lejuar të lëvrojë me një synim të saktë, që quhet asimilim gradual (ose, dyndje anatomisë së origjinës drejt një origjine të depersonalizuar - suborigjine) nga popujt dominantë sllavë në ish-RSFJ e në vazhdimësi në Maqedoni, maqedonasve këtyre ditëve intensivisht u mohohet identiteti; por jo nga shqiptarët, por nga fqinji grek, i cili në parim është dhe investitori më i fuqishëm në tregun e këtij shteti deri më tani.
Nevojitet të flitet hapur për alarmin që ndizet përmes ambivalencave dhe vektorëve kundërshtarë. Alarmi ka të bëjë pikërisht me shpëtimin e shpëtimit për të cilin, mbi të gjitha, duhet të pyetemi sa të sinqertë jemi për ta fikur gumëzhimin e tij. Do ishte një politikë e ndershme multietnike nëse:
1. Fillojmë të kuptojmë dhe të pranojmë gabimin se tranzicionin e zëvendësuam ndërgjegjshëm me provizoren.
2. Nëse eventualisht i kthehemi pastaj kodit të tranzicionit, le të mundohemi që të asgjësojmë ndjenjën se çdo gjë duhet të fillojë nga fillimi (sepse pikërisht kjo ndjenjë, tranzicionin tonë e shndërroi në revolucionar, të mos përmbyllet me kapituj, - por, për më keq, të degradojë në provizor).
3. Le të pranojmë se kemi një keqkuptim total të shoqërisë së hapur e demokratike.
4. Le të pranojmë se koncepti i demokracisë dhe pluralizmit tek ne nuk u manifestua si diversitet doktrinash, por si diversitet etnik, dhe le të mendojmë se si dhe sa mund të funksionojë edhe si i tillë.
5. Le të pranojmë se për gjëra të ndryshme ne flasim me gjuhën e abstraktes e rigides dhe jo me kategori konkrete.
6. Le të pranojmë se jemi hidhëruar me Perëndimin, i cili fasilitoi në civilizimin e konfliktit të vitit 2001, që për shumëkënd ishte terrorizëm, prandaj dhe misteri e hija e tij ende na ndjek dhe sot.
7. Le të pranojmë se Maqedonia vërtet ka të vërtetën e vet, por ajo e vërtetë nuk ka vetëm një gojë ekskluzive të etnisë maqedonase.
8. Së fundi, që ta shkëpusim ndjenjën provizore në jetën tonë qytetare, le të pyetemi se a duhet të vazhdojmë vetëm me palëkundshmërinë e së vërtetës maqedonase ose me palëkundshmërinë e së vërtetës shqiptare apo të pranojmë natyrshmërinë e së vërtetës së Maqedonisë.
9. Le të pyetemi se nëse deri tani pranuam të bëjmë garë lideraliste (garë liderësh) për ta zëvendësuar garën liberaliste (garë idesh); a erdhi kjo si pasojë e epshit banal politik për zëvendësim të demokracisë me autokracinë (demokratët VS autokratët), apo është thjesht arsyetim frustrues për t’u bërë avokatë të nënshtrimit tonë para dijenisë qytetëruese, e për ta këmbyer atë banalisht me injorancën?!
10. Dhe së fundi, kur flasim për identitetet tona, sa i duam, sa i lartësojmë, sa me ortodoksi (xhelozi) i mbrojmë ato; përse flasim sikur duam gjithmonë së pari, të vërtetojmë para pasqyrës sonë të frustruar se ne jemi të lirë me veten, ndërkohë që lejojmë dogmat të na depersonalizojnë lirinë tonë!!!
Dhe për këtë natyrshmëri është folur gjithmonë në historinë e popujve, në garën e tyre, por, dhe tani në historinë e re... Nuk mjaftojnë kodet e marrëveshjeve paqenënshkruese, si Marrëveshja e Ohrit, sepse janë thurur përmes kodeve kufizuese, që janë të harxhueshme dhe të dekodueshme gjithmonë me ngushtësinë e një vullneti politik të një trashëgimie të frustruar, por nevojiten debatet, quaji afrodiziake, që pranojnë marrëveshjet historike mes popujve. Këta popuj, herët a vonë, duhet të mësojnë kodin religjioz për të kërkuar falje dhe për të vazhduar më tej. “Marrëveshja historike” ishte pjesë e konsumit në fjalorin politik të këtij vendi, kishte dhe autorësinë e zotit Arbën Xhaferi, këtij njeriu, që në kujtesën tonë do ta flasim gjithmonë si gjeniun e filozofisë politike, njeriun që vonë do e kuptojmë se në fakt ishte/është “AI QË MUNGON” mes nesh, tek kapërçapemi të përkufizojmë lirinë tonë.
Sidoqoftë , shkruajmë …, flasim …., jemi….ashtu si jemi! Na pëlqen vetja?
(amarku@hotmail.com)
Autorja e këtij shkrimi shpreh mendim individual, është opinioniste në të përditshmen “KOHA”, që del në Maqedoni
9 Mars 2009