E Diel, 1 Nëntor 2026

PBDNJ dhe OMONIA po shkatërrojnë arsimin grek

Ish-deputeti Panajot Barka denoncon hapjen e shkollës së palicensuar private greke nga Mitropolia e GjirokastrësGJIROKASTËR- “PBDNJ dhe OMONIA po shkatërrojnë për hir të interesave arsimin publik në gjuhën greke”. Akuza e mësipërme vjen nga ish-deputeti Panajot Barka, i cili përfaqësonte Partinë e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut në vitet 1991-1992. Me statusin e kryetarit të shoqatës “Afirmuesit e identitetit tonë”,Barka ka reaguar ndaj hapjes së një klase të parë private të palicensuar nga ana e Mitropolisë së Gjirokastrës. “Më 15 shtator, shkollat publike në gjuhën amëtare greke në zonën e Dropullit të Poshtëm në rrethin e Gjirokastrës pësuan goditjen fatale të jetës së tyre. Shkak u bë hapja, madje e palicensuar nga shteti e një klase të parë të një shkolle private në Mitropolinë e Shenjtë. Pothuaj më shumë se gjysma e nxënësve në këtë klasë u sollën nga fshatrat e Dropullit. Për hapjen e saj, Mitropolia përdorin taktikën e njohur të “faktit të kryer”. Për mburojë politike përdori përfaqësues të PBDNJ në qeverisjen aktuale dhe udhëheqjen më të lartë politike të kësaj partie dhe organizatës OMONIA”,-bëri me dije Barka, në deklaratën e tij për shtyp.

Ai e ka cilësuar pjesëmarrjen e përfaqësuesve të PBDNJ-së dhe OMONIA-s si përkrahje të kësaj shkolle private, së cilës nuk i dihet statusi, programi dhe gjuha e arsimimit. Përgjegjësi i Departamentit të Gjuhës, Letërsisë dhe Qytetërimit Grek në Universitetin “Eqrem Çabej”, Barka nuk ka ngurruar të akuzojë partinë dhe organizatën që përfaqësojnë minoritetin grek për shkatërrimin e arsimit në të gjitha nivelet e tij. “Mbyllja e shkollave publike në gjuhën amëtare, me argumentin e gjetjes së shpëtimtarit te Kisha Orthodokse Autoqefale Shqiptare është kurorëzim i politikës disa- vjeçare të udhëheqjes së OMONIA-s dhe PBDNJ-së ndaj arsimit publik. Për të ardhur në këtë finale ata lejuan shkërrmoqjen e ngadalshme të shkollave publike të minoritetit grek. Kundërshtuan me forcë bashkimin e disa shkollave me pak nxënës në qendra të zgjeruara shkollore, duke preferuar mbylljen e tyre të natyrshme. U bënë ortakë me neglizhencën e shtetit për mossigurimin e teksteve shkollore në gjuhën amtare, lanë pa përkrahje dhe më keq akoma, sulmuan dhe denigruan politikisht mësuesit minoritarë grekë”,-shton më tej Panajot Barka.

Ai i akuzon këto dy organizma për pengimin e përpjekjeve dhe iniciativave për hartimin e programeve mësimore në përshtatje të reformës në arsimin e detyrueshëm nga tetë në 9-vjeçar dhe lanë në kushte të mjerueshme shkollat publike ekzistuese në minoritet, për t’u dhënë gjithë përkrahjen e tyre shkollave private. Të njëjtën tendencë, ai e ka vënë re edhe në bojkotimin nga studentët, të Departamentit që Barka drejton. “Po provohet qartazi se këto qëndrime mbaheshin dhe mbahen për të promovuar si shpëtimtare të arsimimit në gjuhën amtare në minoritetin grek, grupe privatësh dhe kishën autoqefale shqiptare, pas të cilëve fshihen interesa ekonomike të lidershipit aktual të PBDNJ-së dhe OMONIA-s”,-përfundoi ai.

KËRKESAT E BARKËS

I kërkojmë shtetit shqiptar minimumin e mundshëm, atë të respektimit të ligjit për hapjen e shkollave private në vend

U kërkojmë përfaqësuesve të kishës t’i përkushtohen misionit apostolik fetar dhe të mos marrin përsipër role që nuk u takojnë.

U kërkojmë anëtarëve të minoritetit grek të çlirohen nga ndjesitë e gabuara të shpëtimtarëve të rastit si dhe nga presioni i pushtetit politiko-fetar të PNDNJ-së dhe OMONIA-s dhe të orientohen drejt në kërkesat e tyre për të drejtat etnike e të njeriut

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›