Vula false, pranga këshilltarit të bashkisë
Librazhd- Falsifikoi vulën e ujësjellësit, përfundon në pranga këshilltari i bashkisë së Librazhdit. Prokuroria e Elbasanit ka ndaluar dje me akuzën e falsifikimit të dokumenteve Rrapush Bahitin, anëtar i këshillit bashkiak të qytetit të Librazhdit. Këshilltari akuzohet se në bashkëpunim me persona të tjerë falsifikuan vulën e ndërmarrjes së ujësjellës- kanalizimeve, duke zgjedhur forumet drejtuese në kundërshtim me ligjin. Kallëzimi penal në dëm të tij është kryer nga drejtori i ndërmarrjes së ujësjellës –kanalizimeve, Petrit Zeneli. Sipas të dhënave hetimore rezulton se në mbledhjen e bordit të kësaj ndërmarrjeje, Rrapush Bahiti në bashkëpunim me disa persona të tjerë, kanë falsifikuar vulën e ndërmarrjes së ujësjellësit duke caktuar Haki Kryeziun drejtor të këtij bordi. Drejtori i ujësjellësit, Petrit Zeneli, e ka cilësuar të pavlefshëm këtë akt dhe ka kryer kallëzim për këshilltarin. Ndërkohë, Rrapush Bahiti ka argumentuar se procedurat për caktimin e Kryeziut drejtor bordi janë ndjekur sipas të gjitha rregullave dhe se ai është votuar nga shumica e anëtarëve. Pas këtij vendimi, Kryeziu është paraqitur në zyrat e ndërmarrjes por nuk është lejuar nga drejtuesit aktualë. Konflikti mes palëve degjeneroi në përdorimin e forcës dhe u desh ndërhyrja e policisë që të vendoste rregull. Pasi ka shqyrtuar dokumentat, Prokuroria e Elbasanit ndaloi dje këshilltarin Rrapush Bahiti ndaj të cilit është ngritur akuza për falsifikim. Çështja është ende nën hetim.