E Shtunë, 31 Tetor 2026

PBDNJ-ja ne 20 vjetorin e saj

Me ose pa Edi Ramën, Vangjel Dule kësaj herë është i vendosur të hedhë prapa vitet e opozitës. Pas zgjedhjeve të 2013-ës forca e tij politike do të jetë pjesë e koalicionit qeverisës.

Deklarata e Dules u bë ndërsa festohej 20 vjetori i krijimit të kësaj force politike, ku përshëndetën përfaqësues të mazhorancës dhe opozitës greke, dhe drejtues të lartë të mazhorancës dhe opozitës në Shqipëri, përkatësisht kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli dhe kreu i socialistëve Edi Rama. Si përfaqësuese e mazhorancës, Kryetarja e Kuvendit shprehu vendosmërinë për t’u respektuar njësoj çdo e drejtë e çdo qytetari shqiptar dhe minoritar në Republikën e Shqipërisë.

Kryetari i opozitës përmes fjalës së tij shpalosi programin për rilindjen e vendit, duke i bërë thirrje Dules të mos pendohet që ka zgjedhur qëndrimin në opozitë këto vite, dhe duke i konsideruar të larguarit nga PBDNJ drejt së djathtës në pushtet si një lehtësim për PBDNJ-së.

Por për Dulen të larguarit janë pjesa që i mungon kësaj force politike ndaj u bëri thirrje për bashkim, siç ndodhi me Partinë e Ligoraq Karamelos.

Zëvendësministri i Jashtëm grek i pranishëm në këtë eveniment bëri thirrje për më shumë besim mes shqiptarëve dhe minoriteteve, çka sipas tij nuk u arrit të plotësisht gjatë “Censusit”, edhe për shkak të presionit të qarqeve nacionaliste. Kryetarja e Kuvendit garantoi respektimin e të drejtave të minoriteteve njësoj me të çdo qytetari shqiptar.

Gjatë këtij aktiviteti u nderua vepra e kryetarit të parë të kësaj force politike, Vasili Melo, i cili nuk jeton më.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›