PBDNJ mbledh Kongresin, Rama: Zgjedhjet s’ishin demokratike
TIRANE- Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut mbajti sot Kongresin e Jashtëzakonshëm. Në fjalën e tij të hapjes kreu i kësaj partie, Vangjel Dule deklaroi se PBDNJ nuk arriti objektivat e duhura ne zgjedhjet e 28 qershorit dhe se mbante të gjithë përgjegjësitë e humbjes.Dule tha 28 qershori dhe situata pas zgjedhore dhe sfida që e presin në të ardhmen janë shkaqet kryesore të mbledhjes së këtij kongresi të jashtëzakonshëm.“Duhet pohuar qartë dhe prerë, se PBDNJ nuk arriti objektivat e veta elektorale në zgjedhjet e 28 qershorit. Jemi këtu për të marrë përsipër përgjegjësitë për këtë humbje. “- deklaroi Dule.Duke i cilesuar sulmet e PD ndaj PBDNJ si sulme të një shteti partiak, ai nuk kurseu sulmet edhe ndaj PS e cila sipas Dules nuk mbrojti votat e saj ne zgjedhje. “PBDNJ përjetoi në fushatën elektorale një sulm dhe një agresion të paparë ndonjëherë, jo vetëm në këto vite të demokracisë të vendit tonë por edhe më gjerë. Nuk kishte përballë PD-në, por kishim përballë shtetin partiak të PD-së. Nga ana tjetër nuk patëm mbrojtjen e votës tonë me masën që ajo pritej prej nesh.”- deklaroi Dule.Kreu i PS-së i cili ishte i pranishëm në këtë kongres në fjalën e tij të përshëndetjes deklaroi se "zgjedhjet e 28 qershorit nuk ishin demokratike dhe transparente". "PS vazhdon të bojkotojë parlamentin e dalë nga këto zgjedhje, pasi në rezultatin e tyre nuk është lexuar vullneti dhe dëshira e popullit shqiptar, por ndërhyrja e shtetit për pushtet", tha Rama, duke shtuar se "ne vazhdojmë të insistojmë dhe padyshim që është edhe rruga e duhur, që transparenca e zgjedhjeve të 28 qershorit, me hapjen e kutive të votimit, është modeli i vetëm ku Shqipëria, një vend anëtar i NATO-s dhe inspiruese në BE, të ecë përpara dhe të konsolidojë demokracinë e vërtetë". Retorikës së Vangjel Dules për mos mundësinë apo mos vullnetin e PS-së për të mbrojtur votën e PBDNJ në zgjedhjet e 28 qershorit, në të cilat PS dhe PBDNJ ishin aleatë, Rama iu përgjigj se "padyshim që PBDNJ është një nga partitë me të cilën PS-ja ka bashkëpunuar dhe do të bashkëpunojë fuqishëm dhe në të ardhmen", por tha ai, "fakti që ne vazhdojmë të protestojmë për votën e lirë të shqiptarëve do të thotë se edhe vota e PBDNJ-së është e përfshirë". Rama shprehu bindjen se "në zgjedhjet e ardhshme bashkëpunimi PS- PBDNJ do të jetë frytdhënës dhe pa ekuivoke.(s.g/BalkanWeb)