Sot, “Arrëthyesi” i dedikohet fëmijëve
TIRANE- Dita e shtunë, shfaqja e fundit e baletit “Arrëthyesi” do të jete dita e solidaritetit artistik me fëmijët që meritojnë përkrahjen e shoqërisë, ata të cilët kanë njohur humbjen e të dashurve të tyre në krye të detyrës, ata të cilët, të penguar nga vështirësitë ekonomike nuk kanë njohur ditë të gëzuara, ata të cilët kanë përjetuar dhe përjetojnë braktisjen në moshë të njomë si dhe të gjithë ata që kanë nevojë të ndiejnë dorën e ngrohtë të ndjenjave miqësore dhe prindërore. Ashtu si shoqëria shqiptare po integrohet vazhdimisht në familjen e madhe europiane, janë ngritur organizata dhe fondacione si Fondacioni i Fëmijëve Shqiptarë, ashtu dhe artistët e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit dëshirojnë t’i dhurojnë kënaqësinë e artit të tyre për t’u kthyer këtyre fëmijëve buzëqeshjen e ditëve të festës. Këta fëmijë në gjirin e artistëve do të ndjehen zotër të sallës më prestigjioze të vendit dhe midis një publiku të nderuar, përfaqësues të institucioneve dhe organizmave të larta qeveritare dhe joqeveritare. Nën patronazhin e lartë të zj. Liri Berisha, ata do të kenë mes tyre njerëz të shquar dhe humanë që janë garancia për një të ardhme më të mirë. Ashtu si personazhi i baletit të magjishëm të çajkovskit - Droselmejer i dhuron Klarës së vogël kukullën e Arrëthyesit, ashtu dhe Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit u dhuron atyre shfaqjen që në gjithë botën këto ditë është simbol i dashurisë njerëzore dhe i ndjenjave më të mira për fëmijët, që janë e ardhmja e çdo shoqërie.(s.g/BalkanWeb)