PBDNJ, në shtator vendoset për ofertën e Berishës
Ndonëse ka konkurruar në zgjedhjet e 28 qershorit në koalicionin e drejtuar nga Partia Socialiste, Partia e Bashkimit për të Drejtave të Njeriut mund t’i bashkohet koalicionit fitues të Partisë Demokratike në qeverisjen e ardhshme. Kreu i PBDNJ-së, një ditë pas përfundimit të zgjedhjeve, deklaroi se kjo parti do të ishte pjesë e opozitës, megjithatë, pritet një ndryshim kursi. Gjithçka mund të ndodhë në muajin shtator, kohë në të cilën do të zhvillohet Kongresi i Jashtëzakonshëm i Partisë së Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, ku do të analizohet rezultati i zgjedhjeve të 28 qershorit dhe situata paszgjedhore. Në këtë kongres pritet të diskutohet edhe vendimi politik për të ardhmen e kësaj partie. Duhet theksuar se në drejtim të PBDNJ-së vazhdon të jetë e vlefshme oferta e kryeministrit Sali Berisha për bashkëqeverisje. Këtë ofertë kryeministri Berisha e përsëriti edhe dy ditë më parë, në një intervistë televizive, kur deklaroi se ishte në pritje të përfshirjes së PBDNJ-së në kabinetin e ri qeveritar. Nga ana tjetër, PBDNJ-ja ka qenë gjithmonë një parti që pavarësisht pozicionimeve, ka pasur gjithnjë hapësirat e saj në qeveri. Këto dy arsye mund të rezultojnë përcaktuese në vendimin që do të marrë PBDNJ-ja në Kongresin e saj të Jashtëzakonshëm, që do të zhvillohet në shtator. Në zgjedhjet e 28 qershorit, PBDNJ-ja konkurroi në koalicionin “Bashkimi për ndryshim” të drejtuar nga Partia Socialiste. Kjo forcë politike arriti të fitojë vetëm një mandat në këto zgjedhje, pikërisht në qarkun e Vlorës. Një ditë pas zgjedhjeve, kreu i PBDNJ-së e akuzoi Partinë Socialiste se nuk kishte mbrojtur votat e PBDNJ-së në zgjedhje. Ai tha se për shkak të këtij rezultati të dobët do të rishikonte pozicionin e tij në drejtim të kësaj partie, ndërkohë që bëri publike thirrjen për mbledhjen e Kongresit të Jashtëzakonshëm të PBDNJ-së në shtator.
11 Korrik 2009