E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, Bino: Rama mashtron sikur ka ndërtuar 36 parqe “Rinia”



Partia Demokratike akuzoi dje kreun e Bashkisë Tiranë se ka mashtruar qytetarët e kryeqytetit me hapësirat e gjelbra. Ndërtimi i parqeve dhe gjelbërimi ka qenë një nga pikat e forta në Ramës, por Partia Demokratike disponon shifra që tregojnë të kundërtën. Zëvendësministri i Mjedisit, njëkohësisht anëtar i Këshillit Bashkiak, Taulant Bino, deklaroi se Rama ofron shifra kontradiktore. Sipas tij, shifra zyrtare të bashkisë tregojnë sikur janë ndërtuar hapësira të gjelbra sa 36 parqe “Rinia”. Ai ngriti një pyetje për Bashkinë e Tiranës që të tregojë se ku janë këto hapësira të gjelbra. “Nëse do të marrim parasysh se Tirana në vitin 2000 numëronte 470 mijë banorë, atëherë sipërfaqja totale e gjelbër në qytet ishte 150 ha. Sot, në vitin 2009, kur qyteti ka 604 mijë banorë dhe kur kryetari në mungesë pretendon një sipërfaqe të gjelbër prej 4.3 m2/frymë duhet të rezultojë që hapësira e gjelbër të jetë 260 ha. Pra, pretendohet që në 9 vjet, sipërfaqja e gjelbër në kryeqytet është rritur me 110 ha, sipërfaqe kjo e barasvlershme me 36 herë parkun “Rinia” (me sipërfaqe prej 3 ha). Pra, qytetarë të Tiranës, sot ju mësoni që keni në Tiranë edhe 36 parqe “Rinia”!”, - tha Bino. Ai tha se sot sipërfaqja e gjelbër ka zbritur më poshtë se në vitin 2000, pra më pak ose 3.1 m2 për banorë. “Pikë së pari, Partia Demokratike përgëzon z. Rama për vetëpërmbajtjen e treguar në mashtrim. Shifra 4.3 m2/frymë tregon se vetë kryetari dhe aparati i tij bashkiak janë të ndërgjegjshëm për deklaratën e pabazuar të vitit 2005, ndaj dhe sjellin sot një korrigjim të parë dhe shpresojmë jo të fundit. Por, edhe shifra prej 4.3 m2/frymë është krejtësisht e pavërtetë!”, - tha më tej Bino.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›