50 milionë euro për autostradën Milot - Fushë-Krujë
Autostrada Milot - Fushë-Krujë, pjesë e aksit Durrës - Kukës - Morinë, do të ketë një zgjerim dyfish, duke e kthyer në një autostradë moderne. E njohur si “rruga e vdekjes”, kjo autostradë, vetëm me dy korsi, është bërë shkak për humbjen e jetës së shumë qytetarëve për shkak të shpejtësisë. Ky investim me vlerë 50 milionë euro, parashikon dublimin e superstradës Milot - Fushë-Krujë në 9 lote, me një gjatësi të rrugës ekzistuese 13 km, duke e kthyer nga një rrugë me dy korsi në një autostradë me katër korsi dhe një korsi emergjence me gjerësi 26 m. Në këtë investim parashikohet dublimi i të gjitha urave ekzistuese, mbikalimeve, nënkalimeve duke e bërë këtë një rrugë të standardeve më të larta. Vitin e ardhshëm është parashikuar investimi për dublimin e pjesës që vazhdon drejt Lezhës, Thumanës, Durrësit dhe Tiranës. Ishte Kryeministri Sali Berisha, ai që përuroi këtë segment, i cili do të kthehet në një autostradë moderne. Ai tha se Shqipëria do të ketë një realitet të ri në NATO dhe në BE, e transformuar me një infrastrukturë moderne.