“Leku” propozohet si monedhë alternative në Kosovë
Parlamentarët e komisioneve të integrimit të Shqipërisë dhe të Kosovës bien dakord të shqyrtojnë mundësitë e një bashkimi monetar mes dy shteteve, masë që do mbronte ekonominë e Kosovës nga kriza e tanishme e euros
Nënkryetarja e komisionit të integrimit Mesila Doda ka hedhur idenë e përdorimit të monedhës kombëtare të lekut edhe në Kosovë. Ideja e zonjës Doda është hedhur gjatë një takimi që parlamentarët e komisionit të integrimit të Shqipërisë dhe të Kosovës kanë zhvilluar sa i përket marrëveshjeve të përbashkëta ekonomike dhe të procesit integrues. Sipas zonjës Doda përdorimi i monedhës kombëtare shqiptare, lekë, edhe në Kosovë do të përbënte një risi pozitive për ekonomitë e të dy vendeve. “Një nga propozimet më të vërtetë nisi nga unë, e cila ishte përdorimi i lekut në Kosovë si monedhë tjetër, që shkon paralelisht me euron. Së pari do të sillte një afërsi më të madhe midis qytetarëve të dyja vendeve së kanë mundësi që të krijojnë afrimitet me monedhën kombëtare të lekut, nga ana tjetër do të kishim një bashkëpunim më të madh me midis bizneseve, pra një njohje më të mirë dhe do të kishim një prani të monedhës kombëtare në instancat më të larta” deklaroi deputetja Doda.
Monedha e lekut mund të përdoret në Kosovë si një mundësi rezervë në kohën kur eurozona vijon të jetë në krizë, dhe në shtetin e Kosovës përdoret euro. Sipas saj, “nga ana tjetër të mos harrojmë që skenarët e euros janë ende të dyshimta dhe ne nuk e dimë se ku po shkon Europa me euron. Ndaj nuk mund t’u heqim vetes një mundësi për të pasur një modhenë rezervë në rastin e çdo skenari problematik me euron” theksoi ajo. Anëtaret e komisioneve parlamentare të dy vendeve tona kanë rënë dakord që të marrin në konsideratë një propozim të tillë dhe për të hedhur hapa të tjerë nga institucionet përkatëse për konkretizimin e kësaj iniciative.