Hipotekat on line - regjistrimi i pronës, më lirë dhe më shpejt
Flet Drejtori i Përgjithshëm i Zyrës së Regjistrimit, Arben Qirjako
Regjistrimi i pronës tashmë kushton më lirë dhe bëhet në një kohë të shkurtër. Shërbimet elektronike të ofruara nga zyra e regjistrimit, si dhe shërbimet në një sportel për noterët, kanë lehtësuar qytetarët nga shkurtimi i procedurave dhe eliminimi i radhëve në sportele. Kështu është shprehur drejtori i Përgjithshëm i Zyrës së Regjistrimit, Arben Qirjako në një prononcim për mediat, ku tregon mbi interesin në rritje të qytetarëve ndaj shërbimit on line. “Koha e informacionit, e rifreskimit të kartelës nëpërmjet sistemit One Stop Shop, është përcaktuar në urdhrin e ministrit dhe është brenda 24 orëve. Qytetari nuk ka fare nevojë të vijë në zyrën vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme për të kryer një transaksion, por mjafton të paraqitet një herë vetëm te noteri dhe noteri nëpërmjet këtij sistemi kryen gjithë procedurën, si me rifreskimin e gjendjes juridike dhe hartografike të pasurisë së vet, po ashtu edhe gjithë transaksionin që do të kryhet nëpërmjet noterëve dhe përgjigjen do ta marrë nëpërmjet noterit", deklaroi Qirjako.
Ndërkohë në këtë sistem kryhen mesatarisht 350-400 kërkesa në ditë. Ndërsa koha e qytetarëve për të regjistruar pronën është shkurtuar me 70 për qind. Gjithashtu procedurat kostojnë më lirë se më parë: “deri para se të funksiononte ky sistem koha ka qenë 16 ditë, tani në këtë moment me gjithë kontratën e shitblerjes koha është 9 ditë. Kostoja është përgjysmuar. Nëse më parë ka qenë 3800 lekë të reja është 1500 lekë të reja”, kryeregjistruesi Qirjako. Sistemi online i hipotekimeve, po rezulton mjaft efikas. Ndërsa shërbimi “One Stop Shop” për noterët ka sjellë gjithashtu lehtësira dhe shkurtim të procedurave për qytetarët. Koha që i duhet një qytetari për të regjistruar pronën aktualisht është 9 ditë. Ajo pritet të shkurtohet deri në fund të procesit të dixhitalizimit deri në dy-tre ditë.