Komenti/ Rama, i pushtuar prej sindromës së zilisë
Në thelb të sipërmarrjes politike të Edi Ramës është fitimi i një faqe në librin e historisë së Shqipërisë. Kjo dëshirë personale jo pak e rëndësishme po ndikon shumë në sjelljen politike të lidershipit të opozitës së sotme sepse historia, me sa kuptohet, përbëhet nga akte të mëdha të përparimit ose regresit të një populli. Fatkeqësia e Edi Ramës quhet Sali Berisha, një lideri i së djathtës në opozitë dhe në qeveri, president dhe dy herë kryeministër që kërkon një të tretë, prandaj “faji është i Saliut”, sipas një përkufizimi të rivalit të tij politik.
Kuptohet vetiu në të gjitha kohërat kanë ekzistuar forca regresive që kanë bllokuar procesin e modernizimit dhe qytetërimit të një popullit sepse kanë pasur një model alternativ të propozuar për t’u implementuar. Por në rastin tonë bashkëkohor forca “opozitare” nuk ka një model alternativ sesi duhet të shkojnë punën e mëhallës; Edi Rama nuk ka një program ose të paktën nuk e po tregon dot.
Në fakt, është dëshira e Ramës për të qenë në vend të Berishës kryeministër që po e komplekson tejmase opozitën e sotme. Para do kohësh rivali i Ramës brenda partisë Socialiste, Ben Blushi, e pati theksuar në një intervistë televizive se brenda PS-së ka “një hall sesi të bëhet Edi Rama, kryeministër”. Ndaj ky hall i Ramës nuk është zgjidhur derisa kryeministër të jetë Berisha. Të njëjtën gjë pati analizuar edhe deputeti i përjashtuar nga PS-ja, Kastriot Islami, i cili denoncoi projektin “Rama”, që “nënkupton përdorimin e partisë për interesa personale të kryetarit”.
Përkundër projektin personal të Ramës qëndron projekti i shpallur i Berishës që ka lidhje me natyrën e një projekti politik të cilës i ka dedikuar jetën e tij. Është një projekt me një histori progresive, që hap horizonte të reja të zhvillimit ekonomik, social e kulturor të një vendi edhe në një kontekst ndërkombëtar. Në afrimin e 2013 lideri i PD-së po përgatitet të shpjegojë pikat themelore të projektit “Shqipëria, një vend i zhvilluar”. Ndonëse, paraprakisht mund të lexojmë disa pika që kanë të bëjmë me zgjerimin e lirisë ekonomike me hapjen e investimeve në sektorin e energjisë së rinovueshme dhe përmbylljen e infrastrukturës rrugore të vendit që favorizon sektorin jo pak të rëndësishëm për buxhetin siç është turizmi.
Megjithatë këto janë projekte in continuum që do të përmbyllen në të ardhmen, por e shkuara e afërt ka lënë gjurmë në ndryshimin e rolit të Shqipërisë. Hyrja në Aleancën ushtarake më të madhe të të gjitha kohërave dhe liberalizimi i vizave me vendet e Bashkimit Europian janë dy spiranca perëndimore të qeverisjes të së djathtës me kryeministër Berishën. Mirëpo kundër kësaj “anije” janë lëshuar “furtuna” prej opozitës, jo vetëm me protesta ndaj anëtarësimit në NATO, por dhe kundër liberalizimit të vizave me dezinformimi në Bruksel, ku deputetë socialist flisnin për 70 mija karta identiteti të falsifikuara dhe për vërshim të ¼ e popullsisë në një emigracion masiv. Synimi i opozitës ishte të pengonte këto dy akte madhore sepse, sipas tyre, këto përbënin një kapital politik të qeverisë Berisha. Ky vizion i ngushtë i leximit të akteve të historisë politike nga ana e opozitës së Ramës mohonte faktin se ishte shtuar siguria dhe zgjeruar liria e qytetarëve për të lëvizur në zonë “Shengen” dhe zhvlerësonte arritjen e reformave qeverisëse.
Padyshim shtysa e thellë e daljes kundër reformave integruese ka në thelb shikimin e përparimit të Shqipërisë në BE-së një fitore politike të Berishës dhe jo si një fitore legjitime Shqiptarëve për t’u afruar me familjen europine. Ka një shpresë për opozitën që lidhet më mundësinë që Rama të hyjë në histori, por kjo vjen nëse ai arrin të fitojë mbi veten, duke dalë nga sidroma e “Salierit” dhe duke qenë pro-pozitiv.
L. Lita