E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Miratimi i rezolutës së KE-së dëshmon se Shqipëria është në krizë”

Menjëherë pas miratimit të rezolutës nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, ka reaguar kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. Sipas tij, miratimi i rezolutës ka faktuar se Shqipëria është në krizë politike. Kreu i PS-së nënvizoi se kriza është brenda në kutitë e votimit, duke theksuar se opozita është e gatshme të dialogojë qysh nesër për zgjidhjen e krizës. Kryesocialisti e ka cilësuar kryeministrin Sali Berisha si Esat Toptani i kohëve moderne, pasi, sipas tij, kreu i Ekzekutivit e akuzonte si antishqiptare opozitën për ngritjen e zërit në Këshillin e Europës në mbrojtje të vlerave dhe parimeve europiane të demokracisë. Ai ka falënderuar në emër të PS-së dhe të të gjithë popullit opozitar, të gjitha grupet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për mbështetjen që i dhanë vendit, duke theksuar se ato vunë gishtin në plagë përmes miratimit të rezolutës së djeshme dhe rrëzimit të amendamenteve të Partisë Demokratike. Kryesocialisti Rama, amendamentet e PD-së i ka cilësuar vulgare dhe, sipas tij, ishin një sjellje politike që e turpëron Shqipërinë në tempullin e demokracisë europiane. Gjithashtu, Rama theksoi se opozita mirëpret njëkohësisht përfshirjen e miqve dhe partnerëve ndërkombëtarëve në zgjidhjen e krizës, siç thotë edhe rezoluta.
Deklarata
Gjatë deklaratës Rama u ndal edhe tek akuzat e PD-së ndaj deputetes socialiste, Arta Dade, ku e akuzon se është e përfshirë në organizata kriminale. Në këtë kuadër, Rama deklaroi se një tjetër padi e pret Berishën për akuzat ndaj Dades në Prokurori e në Gjykatë. “I zhytur përditë e më shumë në batakun e një krize që e ka shkaktuar vetë, Sali Berisha ka nisur prej disa ditësh një nga sulmet e tij rrugaçërore ndaj Partisë Socialiste”, - u shpreh Rama, duke shtuar se “ndërsa sot Sali Berisha nxori gjuhën për të ndotur me baltën e akuzave të tij kriminale sekretaren Ndërkombëtare të partisë për faktin se po dëshmon në Këshillin e Europës të vërtetën e hidhur të krizës së demokracisë në Shqipëri”. Rama vijoi se Sali Toptani nuk njeh kufi në paturpësinë e tij, ditën që rrëzohet për të gjashtëmbëdhjetën herë në Gjykatën Kushtetuese për shkelje të Kushtetutës e të interesave që Kushtetuta mbron. Sipas tij, Berisha i vërsulet opozitës si rrezik për vendin, duke nxjerrë gjuhën për të bërë pis opozitarët që nuk i emëron dot në delegacionet e Parlamentit dhe as i dërgon dot korridoreve të Europës për të bërë avokatinë e pushtetit të tij të fundosur në llumin e padrejtësive. “Ndërkohë që merr shuplakën e gjashtëmbëdhjetë nga Gjykata Kushtetuese në katër vjet, Sali Berisha jo vetëm nuk i thotë popullit të vet gjysmë fjale për këtë fakt të rëndë që flet vetë për shkallën e demokracisë dhe të transparencës të qeverisjes në Shqipëri, por ka paturpësinë të dalë para popullit për t’i bërë gjyqin e shpifur të radhës opozitës”, - u shpreh Rama.
Protestat
Kreu i opozitës ripërsëriti faktin se opozita nuk do të heqë dorë as nga bojkoti dhe as nga protestat pa u zgjidhur kriza politike që ka kapluar vendin. “Protesta dhe vetëm protesta meriton pushteti i paskrupullt i këtij Esat Toptani të veshur me dopiopet që pushtetin e do vetëm për të sunduar, përfituar dhe përvetësuar, duke e çuar korrupsionin deri në nivel katastrofash kombëtare si në Gërdec, Kalimash, Fierzë apo ndjellë fatkeqësi të pariparueshme për këtë komb, siç do të ishte edhe hyrja në fuqi e asaj marrëveshjeje që u denoncua nga gazetarë kurajozë e u pengua momentin e fundit nga gjykatësit, falë nismës së kësaj opozite”, - tha Rama. Ai i bëri të qartë kryeministrit Berisha se opozitën as e nënshtron dot duke e sulmuar si i marrë, as e blen dot duke ofruar thasë parash të pista, as e shkurajon dot duke bashkëpunuar me njerëz të veçantë që flasin në emër të opozitës me gjuhën e Saliut.

Toçi: “Ligji për tokën bujqësore, kërkohet zgjidhje konsensuale me grupet e interesit”

Partia Socialiste ka reaguar dje ndaj protestave të zhvilluara nga banorët e Orikumit në Vlorë, të cilët kanë vijuar të kundërshtojnë ligjin për një shtesë në ligjin “Për kalimin në pronësi, pa shpërblim, të tokës bujqësore”. Deputeti Fatmir Toçi deklaroi dje se ky ligj duhet të rikthehet në Parlament, duke shprehur gatishmërinë e PS-së me specialistët dhe juristët e saj, për të diskutuar në çdo moment me shoqatat dhe përfaqësuesit e subjekteve të shpronësuara për një zgjidhje sa më të drejtë të këtij të problemi të trashëguar. Socialisti Toçi kujtoi se opozita i kërkoi Presidentit të Republikës, Bamir Topi, që të mos e dekretonte këtë ligj, pasi, sipas tij, u rrëmben tokën dhe i hedh në rrugë njerëzit në nevojë. Gjithashtu, ky ligj, sipas deputetit Toçi, nuk e zgjidh as problemin e subjekteve të shpronësuara, pa u diskutuar më parë me të gjitha grupet e interesuara, pronarët e vjetër dhe përdoruesit e sotëm, për t’i dhënë zgjidhjen përfundimtare këtij problemi, që vetëm ka nxitur konflikte dhe ka penguar e bllokuar zhvillimet normale të vendit për dy dekada. “Në vend që të dëgjojnë zërin e njerëzve që po u grabitet toka nga njerëz të veshur me pushtet në Tiranë dhe në Vlorë, dërguan Policinë e Shtetit për t’iu kundërvënë me dhunë protestës paqësore, duke sjellë në kujtesë konfrontimet e tetorit të vitit të kaluar me banorët e Orikumit dhe skenat e turpshme të kësaj policie, e cila, për interesat e një klani që ka uzurpuar pushtetin, prangos dhe përgjak një komunitet të tërë të pambrojtur”, - u shpreh deputeti Toçi.

29 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›