E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, Doda: Rama po rrezikon jetën e fëmijëve në shkolla

TIRANE- Deputetja e Partisë Demokratike, Mesila Doda, deklaroi sot se, Tirana meriton një kryebashkiak i cili të sigurohet që fëmijët mësojnë në një ambient të sigurt dhe marrin arsimin që u nevojitet për të konkuruar në një ekonomi globale.

Përmes një deklarate për shtyp, Doda shprehu shqetësimin për situatën e krijuar në shkollën "Dora D’Istria", ku ditën e djeshme u shemb një pjesë e tavanit në ambientet e palestrës së saj. "Kjo është ngjarja e dytë që ndodh në pak javë. Si prind i dy fëmijëve që shkojnë në shkollë, për mua si dhe për çdo prind tjetër në Tiranë, kjo çështje është personale. Ne nuk kemi pse të shqetësohemi për sigurinë e fëmijëve tanë, kur çdo mëngjes i nisim në shkollë", tha ajo.

Sipas saj, "ky po bëhet një fenomen i përsëritur, pasi vetëm pak javë më parë më 25 mars, u rrëzua tavani i shkollës “Petro Nini”, 6 muaj pas rikonstruksionit të saj".

"Sot, nxënësit në Tiranë po arsimohen në shkolla me infrastrukturë të dobët, me nga dy turne, kushte të rrezikshme dhe ambjente të papastra. Fëmijët e Tiranës janë e ardhmja e kryeqytetit, por Edi Rama i ka injoruar nevojat e tyre për vite me radhë", vijoi Doda.
"Këto probleme ndodhin kur ke një kryebashkiak të cilit i intereson vetëm debati politik kombëtar. Tirana meriton më shumë", përfundoi ajo.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›