PD: Edi Rama, i demoralizuar në fushatë, fantazon për helikopterë e qilimë fluturues

Ka reaguar Selia Blu përmes zëdhënëses së saj, Albana Mustafaraj, duke akuzuar kreun e Partisë Socialiste, Edi Ramën për politikën e shpifjes dhe trillimit që është duke ndjekur. Përmes kësaj deklarate për mediat, Mustafaraj ka theksuar se “Partia Demokratike dënon politikën e mbrapshtë të shpifjes dhe trillimit që po improvizon në vijim të turit të tij elektoral, kryetari i opozitës, Edi Rama”. Duke akuzuar Ramën nder të tjera ajo nënvizoi se Kryetarit të PS-së Edi Ramës, i cili ndodhet nën panikun e dështimit të fushatës, ç’do ditë po i bie tavani, ende vazhdon si rrugë të vetme politikën e përbaltjes përmes shpifjes ndaj kundërshtarit. Më tej në vijim të kësaj deklarate zëdhënësja e PD-së, Mustafaraj tha se zoti Rama akuzoi dje Kryeministrin e vendit se po përdor mjete fluturuese në fushatën e tij. Me sa duket, zotit Rama, ngaqë zvarritet vetë, i duket sikur të tjerët fluturojnë. Duke hedhur poshtë akuzat e hedhura nga kreu i opozitës Edi Ramës, Partia Demokratike ka informuar se “Kryetari i saj dhe njëkohësisht Kryeministri i vendit, në asnjë rast apo rrethanë nuk ka përdorur helikopterë privatë apo shtetërorë që nga hapja e fushatës”. Duke vijuar më tej këtë deklarate për mediat, Mustafaraj theksoi se “padyshim që arsyeja e kësaj akuze të pavërtetë qëndron në axhendën intensive të takimeve entuziaste të Kryeministrit dhe Kryetarit të PD-së, Sali Berisha, pas së cilës nuk qëndrojnë as helikopterë, as qilimë fluturues, por frymëzimi nga qytetarët dhe pritja e tyre, pasioni elektoral, energjitë dhe disiplina e hekurt e Kryetarit të Partisë Demokratike, që po konturojnë një fitore të bukur e të thellë më 8 maj në Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë të të gjithë kandidatëve të “Aleancës për Qytetarin”.