E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Edi Rama kërkon përmbysjen e pushtetit me dhunë

Tiranë, 5 Shkurt NOA Kryetari i Partisë
Socialiste, Edi Rama, po dëshmon edhe një herë tjetër se zgjedhja dhe
përcaktimi i tij është politika e rrugës dhe jo institucionet demokratike dhe
shteti ligjor.

Këtë qëndrim mbajti sot partia Demokratike e
cila përmes deputetit të saj Edi Paloka lëshoi akuza për opozitën se po kërkon përmbysjen
e qeverisë.

Me qëndrimet e ditëve të fundit ai po u
tregon të gjithëve se nuk ka aspak ndërmend të zbatojë kërkesat e qarta të
rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës

për futjen e
opozitës në parlament dhe për ngritjen e një komisioni hetimor, që duhet të
respektojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, - tha Paloka në një dalje për
mediat në selinë e Parlamentit.

Tashmë po bëhet përherë e më evidente se
pushteti në tavolinë është e vetmja gjë që kërkon dhe e vetmja gjë që mund ta
kënaqë Edi Ramën, - vijoi Paloka duke shtuar: Dhe gjithmonë në funksion të
kësaj aventure absurde ai duket se e ka marrë me gjakftohtësi vendimin për
djegien e mandateve të deputetëve të Partisë Socialiste.

Sipas PD, fakti që Edvin Kristaq Rama po
kërkon përmbysjen e qeverisë, jo nëpërmjet zgjedhjeve dhe votës së lirë, do të
thotë se mentaliteti marksist i baballarëve është ende i gjallë tek çunat e
rinj të Bllokut, por Edi Taku-nardi, siç po e thërrasin kohët e fundit në
mjediset e Partisë Socialiste, duhet ta harrojë që mund të impresionojë njeri
në këtë vend me kërcënimet për protesta dhe dhunë, - deklaroi Paloka.

Shqipëria është tashmë në rrugën e
pakthyeshme të  integrimit europian dhe historia e dikurshme e etërve të çunave
të rinj të Bllokut është thjesht një kujtim i hidhur për të gjithë shqiptarët,
që nuk do të përsëritet më kurrë, - përfundoi qëndrimi i PD i transmetuar përmes
Palokës.

e.r/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›