PS, sondazh te qytetarët emrave të kandidatëve
Zgjedhjet e ardhshme vendore konsiderohen nga socialistët jo thjesht si një garë elektorale për pushtetin vendor, por si një referendum popullor për kauzën e opozitës për rrëzimin e qeverisë së djathtë. Ndaj, nisur nga ky qëllim selia rozë ka vendosur që t’i kushtojë një rëndësi të veçantë përzgjedhjes së emrave me të cilët ajo do të përfaqësohet në këtë garë elektorale. Për të bërë zgjedhjen e duhur, Partia Socialiste ka vendosur që t’u drejtohet vetë qytetarëve për të evidentuar kandidatin më përfaqësues me të cilin kjo forcë do duhet të konkurrojë në këto zgjedhje, të paktën për 12 bashkitë kryesore në vend. Bëhet fjalë për sondazhet në popull që strukturat e Partisë Socialiste kanë nisur të bëjnë në 12 bashkitë kryesore, ndërkohë që për bashkitë e tjera dhe komunat e mëdha përzgjedhja është parashikuar të bëhet nëpërmjet testimit të kandidatëve.
Sondazhi
Pasi ka evidentuar kandidatët për kandidatë të ardhur kryesisht nga degët lokale të partisë dhe të konsultuara edhe me deputetët e zonave përkatëse, PS-ja ka vendosur të kalojë në një fazë të re, atë të ballafaqimit të këtyre emrave me qytetarët. Të gjitha degët e PS-së në 12 qytetet kryesore kanë nisur një proces intensiv për konsultimin e kandidatëve me opinionin publik nëpërmjet sondazheve. Për realizimin e këtyre sondazheve socialistët kanë parashikuar dy rrugë: njëra nëpërmjet telefonatave të rastësishme kundrejt qytetarëve të thjeshtë dhe rruga e dytë ajo e kontaktit direkt me qytetarët. Realisht janë dy pyetje që u bëhen qytetarëve në këtë sondazh. Njëra që përfshin ato njësi ku ka dalë më shumë se një kandidat dhe ka të bëjë me emrin më të mirë mes tyre dhe pyetja e dytë shtrohet se për kë do votonin në zgjedhje, kjo në raport kandidatin e mundshëm nga kampi kundërshtar. Pas këtij procesi strukturat lokale të PS-së do bëjnë nxjerrjen e tabelave të rezultateve, për të bërë renditjen sipas mbështetjes që ka marrë gjithsecili. Emrat bashkë me rezultatet do t’i paraqiten asambleve të bashkive, të cilat do bëjnë dhe certifikimin e rezultatit për t’ia paraqitur në fund kryesisë së partisë, e cila do bëjë dhe përzgjedhjen finale. Në një pjesë të këtyre bashkive, të cilat kanë vetëm nga një kandidat, si Vlora, Durrësi, Elbasani apo Korça sondazhet po bëhen vetëm kundrejt kundërshtarëve dhe jo me kandidatë alternativ.
Testimi
Ndërsa për bashkitë kryesore janë parashikuar sondazhet, në të gjitha bashkitë e tjera të vendit dhe komunat e mëdha PS-ja ka preferuar të ndjekë një rrugë më të thjeshtë, por natyrisht konkurruese për përzgjedhjen e kandidatëve. Kandidatët e vetëshpallur dhe të propozuar nga degët e partisë dhe deputetët përkatës do të kalojnë një testim me CV-në e tyre. Kështu, në bazë edhe të kritereve që pritet të përcaktojë Asambleja dhe që parashikon ndërkohë edhe Statuti i partisë, degët e PS-së do të shqyrtojnë çdo kandidaturë nëpërmjet të dhënave të tyre profesionale, besueshmërisë në publik, kredibilitetit moral etj. Natyrisht që edhe këta kandidatë në bazë të statutit, para se t’i kalojnë kryesisë, duhet të diskutohen më parë në Asambletë e bashkive dhe komunave përkatëse. Ndërkohë që paralelisht me këtë proces ditën e nesërme deputetët e secilit qark do të zhvillojnë një takim tjetër me sekretarin për çështjet zgjedhore në Asamblenë e Partisë Socialiste, për t’i paraqitur atij emrat që kanë dalë nga faza e parë, pra ajo e evidentimit të kandidatëve për kandidat, gjithmonë për ato njësi për të cilat nuk kanë ardhur ende emrat paraprakë.