E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, Gumi: Shpifja ndaj Presidentit jo më vepër penale. PS kundër

15/02/2012  Në mbledhjen e djeshme Komisioni i Ligjeve shqyrtoi propozimet e palëve për ndryshimet e reja në Kodin Penal. Partia Demokratike u tregua e ashpër ndaj dënimit të dhunës në familje dhe kërkoi që dënimi i saj nga 6 muaj që është aktualisht të bëhet me 5 vjet. Deputeti demokrat Viktor Gumi i paraqiti Komisionit disa amendime të mazhorancës, të cilat do të votohen në mbledhjen e sotme të këtij komisioni. Ndërsa pritej të diskutohej për dekriminalizimin e shpifjes dhe fyerjes, Gumi propozoi dënimin me 5 vjet burg për keqtrajtimin e bashkëshortes ose bashkëshortit. Në mendimet e paraqitura nga Gumi është kërkuar që të privohen nga amnistia apo lehtësimi i dënimit një kategori e caktuar personash. Por mazhoranca ka shkuar dhe më tej, pasi në amendimet e saj kërkohet që shpifja ndaj Presidentit të mos përbëjë më një vepër penale dhe të mos dënohet. Por duke shprehur qëndrimin e opozitës kundër këtyre propozimeve, deputetja socialiste Ermonela Felaj, njëkohësisht dhe relatorja e projektligjit, bëri me dije: “Është propozuar shfuqizimi i disa neneve të Kodit Penal, si më poshtë vijon: fyerja (neni 119), shpifja (neni 120), vepra penale kundër moralit dhe dinjitetit të shtetasve; fyerja ndaj përfaqësuesve të shteteve të huaja (neni 227), veprimet fyese ndaj himnit dhe flamurit, vepra penale që cenojnë marrëdhëniet me shtete të tjera; kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik (neni 235); fyerja për shkak të detyrës (neni 239), shpifja për shkak të detyrës (neni 240), shpifja ndaj Presidentit të Republikës (neni 241), vepra penale kundër veprimtarisë shtetërore të kryera nga shtetasit; fyerja e gjyqtarit (neni 318), vepër penale kundër drejtësisë”, - tha Felaj. Ndërkaq lidhur me kalimin e shpifjes nga Kodi Penal ne atë Civil opozita është shprehur kundër. “Propozimi ynë është të shfuqizohet vetëm sanksioni i dënimit me burgim, duke i klasifikuar si kundërvajtje penale që dënohen me gjobë. Kufiri i sipërm i gjobës që parashikon ligji (3 milion lekë) duket i lartë dhe mund të konsiderohet diskriminues për një gazetar, ndaj do të ishte me vend që masa e saj të përcaktohet në sanksionin e dispozitës (sigurisht, duhet bërë shkallëzimi për rastin kur vepra është e cilësuar - paragrafi i 2)”, – u shpreh Felaj në fjalën e saj. Sot pritet që në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve të jenë grupet e interesit, të cilat do të paraqesin propozimet e tyre në lidhje me ndryshimet në Kodin Penal.

Amendamentet e PD-së për Kodin Penal

I. Pas nenit 90 shtohet neni 90/a me këtë përmbajtje:

“Neni 90/a

Dhuna në familje

Rrahja, si dhe çdo vepër tjetër dhune, e kryer nga autori i veprës ndaj personit që ka ose ka pasur marrëdhënie bashkëshortore apo bashkëjetese, dënohet me burgim nga 6 muaj gjer në 5 vjet.”

II. Pas nenit 65 shtohet neni 65/a me këtë përmbajtje:

“Neni 65/a

Periudha e sigurisë

Gjykata në dhënien e vendimit mund të vendosë edhe caktimin e një periudhe sigurie, gjatë së cilës nuk lejohet zbatimi i nenit 64, 65, 70 të këtij kodi në rastet kur ekziston një nga këto rrethana:

a) vepra penale masa e dënimit e së cilës është mbi 5 vjet;

a) kryerja e veprës penale është bërë me egërsi dhe mizori;

b) kur vepra është kryer kundër fëmijëve, grave shtatzëna ose personave që për shkaqe të ndryshme nuk mund të mbrohen;

c) kur vepra është kryer duke përfituar nga marrëdhëniet familjare ose bashkëjetese;

d) kur kryerja e veprës penale është shtyrë nga motive që kanë të bëjnë me gjininë, racën, fenë, kombësinë, gjuhën, bindjet politike, fetare ose sociale.

Periudha e sigurisë shtrihet për afatin kohor nga 2/3 e vendimit të dhënë nga gjykata deri në kohëzgjatjen e plotë të dënimit penal.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›