E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Në Kuvend me plan konkret masash

15/02/2012  Gjendja e jashtëzakonshme për shkak të reshjeve të dëborës, mblidhet grupi parlamentar i PS-së

“Nuk mund të mos ngrihet zëri fort edhe për shkeljen e ligjit për emergjencat nga ana e qeverisë.”

Partia Socialiste do të shfaqet në seancën parlamentare të ditës së nesërme me një plan konkret masash për t’u ardhur në ndihmë zonave të bllokuara nga reshjet e dëborës. Një fakt i tillë u bë i ditur nga vetë kreu i PS-së, Edi Rama, gjatë mbledhjes së djeshme të grupit parlamentar socialist. Pas raportimit të ligjvënësve socialistë lidhur me situatën reale në zonat verilindore dhe juglindore të vendit, kryetari i socialistëve parashtroi veprimet që do të ndjekë kjo forcë politike përballë situatës së vështirë në këto zona. Në vlerësimin e kryetarit të PS-së qeveria dhe opozita duhet të kenë në vëmendje të tyre faktin se vendi po përballet me tri kriza, të cilat vijnë si pasojë e reshjeve të dëborë. “Sot Shqipëria përballet me koston e trefishtë të shurdhërisë së qeverisë, sepse jemi përballë krizës së izolimit nga dëbora të mijëra familjeve, që po ziejnë kokrrat e fundit të misrit; përballë krizës energjetike, që ka nisur të ndihet në çdo shtëpi, ku fiken dritat me orë të tëra; përballë përmbytjeve të radhës, që me këtë dëborë masive janë të pashmangshme”, - vuri në dukje Rama sa i takon një çështjeje të tillë. Për këtë arsye, gjatë ditës së sotme pritet që PS-ja të bëjë publik planin afatshkurtër dhe afatmesëm për krizën e dëborës, krizën energjetike dhe krizën e përmbytjeve që do të pasojnë. Nga ana tjetër, kreu i PS-së nuk kurseu akuzat ndaj mazhorancës qeverisëse, e cila në vlerësimin e tij nuk ka ndërmarrë angazhimin maksimal për përballimin e gjendjes së vështirë në zonat malore. Sipas Ramës, është krejtësisht e pamjaftueshme një vlerë prej 400 milionë lekë për të zgjidhur një situatë të tillë. “Nuk është orë politizimesh të panevojshme kjo, por nuk mund të mos ngrihet zëri fort edhe për shkeljen e ligjit për emergjencat nga ana e qeverisë. Shkelja e hapur e këtij ligji është një ndër shkaqet kryesore të pafuqisë së sotme të shtetit dhe të qeverisë për të vënë në lëvizje si duhet strukturat përkatëse të emergjencës civile. Kjo që shohim është vetëm njëra pamje e krizës, që nuk do të mbarojë as me mbarimin e dëborës dhe as me shkrirjen e saj. Plagët që dëbora po hap aty ka goditur fort. Do të duan një plan të posaçëm shërimi dhe ne jemi gati të japim kontributin tonë”, - u shpreh Rama. Sipas tij, PS-ja është e gatshme të votojë në Kuvend çdo masë për përballimin e situatës. “Do të votojmë në parlament çdo masë imediate për përballimin sot për sot të krizës dhe duam po ashtu që parlamenti të marrë masa edhe për kurimin afatmesëm e afatgjatë të plagëve të hapura nga kjo krizë. Qeveria duhet të dëgjojë. Shurdhëria nuk është plan, por kosto, që rritet nëse qeveria zgjedh të mbyllë veshët e të hapë vetëm gojën për të sulmuar opozitën”, - deklaroi kryetari i socialistëve lidhur me një çështje të tillë.

Raportimi

Gjatë mbledhjes së grupit kuvendor të PS-së deputetët dhanë informacionet e tyre mbi zonat ku janë zgjedhur. Deputeti i qarkut të Dibrës Qemal Minxhozi bëri me dije se situata është alarmante në këtë qark, ku 160 fshatra janë të izoluara nga dëbora dhe banorët e tyre vuajnë mungesën e ushqimeve e të ndihmës mjekësore.

Situata

Deputetja e PS-së Mimi Kodheli gjatë një konference për shtyp bëri publike situatën në terren në të gjitha zonat që gjenden në vështirësi për shkak të reshjeve të dëborës. Nisur nga të dhënat që dispononte PS-ja, Kodheli u ndal në të gjitha zonat verilindore e juglindore, duke pasqyruar në detaje situatën.

Akuza

“Pamë nga mëngjesi në darkë një shfaqje shurdhërie me zë e me figurë dhe aktor protagonist kryeministrin, që e harroi Shqipërinë, që digjet nën dëborë dhe u kreh me orë të tëra në ekranin e televizorit duke folur për Azerbajxhanin, Ahmet Zogun, Enver Hoxhën e për kë tjetër i erdhi ngoje nga mendja e arratisur prej realitetit dramatik të Shqipërisë.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›