E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Hetimi i plotë i 21 janarit, kusht për zgjidhjen e situatës

TIRANË- Mazhoranca vijon të kërkojë hetim të plotë, profesional dhe të balancuar, për ngjarjen e dhunshme të 21 janarit para Kryeministrisë. Në takimin e zhvilluar me presidentin e Grupit Popullor Kristian – Demokrat, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, Luka Volonte, Kryeministri Berisha nuk ka përmendur “grusht shteti”, duke e perifrazuar në një formë tjetër 21 janarin, si “një përpjekje e opozitës për marrjen e pushtetit me dhunë”. Në këtë takim, Kryeministri nënvizoi rëndësinë themelore për hetim të plotë, profesional dhe të balancuar të të gjithë përgjegjësve të 21 janarit si kusht themelor për zgjidhjen dhe normalizimin e situatës në vend.Kryeministri Berisha mbështeti plotësisht rolin e institucioneve të pavarura në zgjidhjen e situatës, por theksoi që pavarësia e këtyre institucioneve nuk është një aspekt formal, por bazohet në veprimet dhe besimin që ato institucione krijojnë, në zbatimin korrekt dhe të paanshëm të ligjit. Ai gjithashtu e siguroi zotin Volonte, që mazhoranca është maksimalisht e angazhuar për respektimin e të gjitha lirive dhe të drejtave, përfshirë të drejtën për tubime paqësore. “Zoti Volonte shprehu vlerësimin dhe mbështetjen për qëndrimin konstruktiv të Kryeministrit Berisha dhe të mazhorancës, në përballimin dhe zgjidhjen e situatës së krijuar nga përpjekjet e dhunshme të opozitës, për marrjen pa zgjedhje të pushtetit. Zoti Volonte vuri në dukje qëndrimin intransigjent dhe të përshkallëzuar të zotit Rama, drejt krijimit të krizës, që nga vizita e Komitetit Presidencial të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës në fillimin e vitit 2010. Ai theksoi që ndërkohë që Kryeministri Berisha i pranoi propozimet e delegacionit të Asamblesë Parlamentare të KE-së, zoti Rama i kishte refuzuar në mënyrë insistuese ato, duke mbyllur qëllimisht rrugët për një zgjidhje institucionale të ngërçit të krijuar nga opozita”, - thuhet në njoftimin për shtyp të Kryeministrisë. Kryeministri e siguroi zotin Volonte, për angazhimin e tij maksimal, që zgjedhjet për pushtetin vendor të 8 majit të arrijnë standardet më të larta të Këshillit të Europës dhe OSBE-së dhe duke e vlerësuar rolin e Asamblesë Parlamentare të KE-së ftoi një pjesëmarrje sa më të gjerë të kësaj Asambleje, në misionin ndërkombëtar të vëzhgimit të zgjedhjeve. Dy ditë më parë, Kryeministri Berisha siguroi para Ambasadorit të OSBE-së, Wollfarth se, qeveria ishte e gatshme që të votonte të gjithë rekomandimet e kërkuara nga OSBE/ODIHR. Berisha shtoi se qeveria ishte plotësisht e hapur për të përdorur të gjithë votat që ka, për t’i adresuar një nga një ato, pa asnjë hezitim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›