E Shtunë, 31 Tetor 2026

Së shpejti do paraqitet kërkesa për statusin e vendit kandidat

08/01/2009  Kryeministri Sali Berisha takon ambasadoren çeke në Tiranë, Marketa Fialkova

Tirana zyrtare do të paraqesë kërkesën për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Kryeministri Sali Berisha gjatë takimit që pati dje me ambasadoren e Republikës së Çekisë në Tiranë, Marketa Fialkova, me rastin e marrjes së presidencës së radhës të BE-së nga Republika Çeke për periudhën 1 janar–30 qershor 2009, bëri me dije ambicien për të hedhur hapin e rëndësishëm drejt anëtarësimit. Kreu i qeverisë shqiptare, duke shprehur mirënjohjen për raportin e fundit të Komisionit Evropian, në të cilin evidentohen qartësisht reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, i tha ambasadores çeke se së shpejti qeveria shqiptare do të paraqesë kërkesën e saj për statusin e kandidatit për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Kryeministri Berisha theksoi se vazhdimësia dhe thellimi i reformave, të cilat tashmë po japin rezultate të rëndësishme në shumë fusha, garantimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme, që plotësojnë tërësisht standardet ndërkombëtare, si dhe aplikimi nga ana e Shqipërisë për statusin e kandidatit për anëtar të BE-së janë dhe mbeten përparësitë kryesore të qeverisë shqiptare për periudhën në vijim. Nga ana e saj ambasadorja çeke informoi Kryeministrin Berisha se në 6-mujorin e parë të vitit 2009 presidenca Çeke e BE-së do t’i kushtojë një vëmendje të veçantë dhe do të mbështesë hapat e mëtejshëm për integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke e konsideruar zgjerimin e mëtejshëm të BE-së në përputhje me axhendën e Selanikut si një ndër prioritetet kryesore të presidencës.

Vlerësimi i reformave

Ambasadorja çeke ka vlerësuar reformat dhe arritjet e rëndësishme të qeverisë shqiptare gjatë kësaj periudhe, në veçanti gjatë vitit 2008, të cilat u reflektuan edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian. Nga ana e tij Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen e tij dhe të qeverisë shqiptare për rëndësinë e veçantë që presidenca Çeke e BE-së i ka kushtuar Ballkanit Perëndimor dhe perspektivës evropiane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›