E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta si Rama, tur për bujqësinë

08/01/2009  Turet e dialogut, krerët e majtë kopjojnë njëri-tjetrin

“Përfaqësojmë një program shumë të qartë dhe shumë konkret ekonomik dhe social”

Oli Xhilaga

Turet e dialogut po kthehen pak a shumë në modë, e cila po tërheq gjithmonë e më shumë kryetarët e partive parlamentare në vend. Fillimisht ishte kreu i Partisë Socialiste që inicioni një nismë të tillë, duke shkelur pothuajse në të gjithë vendin, me qëllim njohjen nga afër të problemeve që shqetësojnë shqiptarë. Pak kohë më vonë një tur pothuajse i njëjtë u ndërmor nga kreu i mazhorancës, Kryeministri Sali Berisha. Por me sa duket një modë e tillë tërhoqi dhe kreun e Lëvizjes Socialiste për Integrim, i cili ka pak kohë që po zhvillon takime në zona të ndryshme të vendit. Për të qenë më të saktë, Meta është ndalur në një nga çështjet jo pak të rëndësishme për jetesën shqiptare: te bujqësia, e cila ka qenë dhe vijon të jetë një nga pikat kryesore të dialogut me shqiptarët gjatë turit të kryetarit Rama. Njëkohësisht bujqësia ka qenë pjesë e tryezave në të dyja fazat e turit të kreut socialist, pasi sikundër dihet, në bazë të këtyre takimeve do të merrte bërthamën dhe programi i ri qeverisës i kësaj partie. Kështu, për të diskutuar mbi këtë çështje, kreu i LSI-së ka zhvilluar një sërë takimesh, duke u ndalur dje në një takim me banorë të komunës Luz të Kavajës. Por krahas bashkëbisedimit me këta banorë, takime të tilla për lidershipin e LSI-së janë në sinkron dhe me takime paraelektorale, duke qenë në këtë mënyrë në kontakt të vazhdueshëm me elektoratin e tyre. Gjatë bisedës me banorë të komunës Luz Meta theksoi domosdoshmërinë e investimeve nga ana e qeverisë në dy sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë në vend: në bujqësi dhe turizëm. Sipas tij, nuk mund të arrihen standarde evropiane dhe nuk mundet që Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian me këtë nivel të mjeruar në të cilën ndodhet bujqësia aktualisht. “Zhvillimi rural, siguria ushqimore, niveli i mbrojtjes së konsumatorëve, subvencionimi i fermerëve janë problematika shumë të mëdha me të cilat përballet sot vendi, ndaj i duhet dhënë fund kësaj situate kaotike që po kalon vendi dhe LSI-ja është e vetmja forcë politike që mund ta nxjerrë vendin nga kjo amulli në të cilën ndodhet prej vitesh”, - vlerësoi Meta gjatë fjalës së tij. Gjithashtu, si për t’i mëshuar më tej këtij qëndrimi, kreu i LSI-së u ndal në zhvillimet e fundit të politikës. “Është koha që të ndëshkohet ky teatër i shëmtuar politik i bashkëpunimeve të paprincipta mes lidershipit të PS-së dhe të PD-së, jo vetëm me votë, por edhe përmes afirmimit të një programi shumë të qartë dhe shumë konkret ekonomik dhe social”, - vuri në dukje Meta. Gjithashtu ai shprehu bindjen se partia e drejtuar prej tij mund ta realizojë një synim të tillë. “Ne jemi të bindur se këtë gjë do të realizojmë më së miri në të gjitha drejtimet, sepse zgjidhja e kësaj krize të thellë politike, institucionale, kushtetuese do të vijë nga LSI-ja dhe nga ajo alternativë që tashmë është afirmuar në krah të LSI-së dhe që është në sinkron të plotë me shumicën e qytetarëve shqiptarë”, - theksoi kreu i LSI-së lidhur me këtë çështje. Duke qëndruar në po të njëjtën linjë, Meta nënvizoi se “objektivi ynë për të fituar në zgjedhjet e vitit 2009 nuk është një dëshirë, por është një detyrë, një detyrë përpara vendit, që kërkon një zgjidhje”.

Dialog me Shqipërinë

Turi, baza e programit të PS-së

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama për muaj me rradhë ka zhvilluar një tur bashkëbisedimi me banorë të zonave të ndryshme të vendit. Gjatë këtyre takimeve janë trajtuar çështje të ndryshme, të cilat janë evidentuar nga lidershipi i PS-së si më shqetësues për banorët. Krahas njohjes nga afër të këtyre problemeve, turi kishte dhe një tjetër synim, marrjen e të dhënave konkrete për hartimin e programit të ri qeverisës të Partisë Socialiste. Madje, po në këtë kuadër kreu i PS-së sëbashku me ekipin drejtues të kësaj partie organizuan tryeza të ndryshme në çdo zonë, duke ngritur dhe bordet qytetare, ku zëri dhe mendimi i anëtareve të këtyre bordeve do të kishte një impakt mjaft pozitiv për hartimin e programit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›