E Diel, 1 Nëntor 2026

Ushtarakët, Hoxha: Ja sa do të rriten pensionet



nertila maho

Pas hyrjes në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave për pensionet, nëndrejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Hasan Hoxha, shpjegon sa do të rriten për të gjitha kategoritë. Në një intervistë për gazetën “Panorama” ai flet edhe për pensionet e ushtarakëve. Z. Hoxha, dy ditë më parë Qeveria vendosi për rritjen e pensioneve që nga 1 korriku. A janë tërhequr pensionet me rritjet e fundit?
Mund t’iu them se, që nga 1 korriku të gjithë pensionistët që kanë pasur datën e tërheqjes së pagesës mujore, e kanë marrë atë me rritjen e re. Për të realizuar një gjë të tillë në terren, në bashkëpunim me Postën Shqiptare, që është agjenti shpërndarës i pensioneve, kemi bërë të mundur dërgimin në të gjitha qendrat postare urdhër-pagesat me pasqyrimin e rritjes. Duhet theksuar që në mjaft raste është asistuar nga punonjësit e ISSH-së saktësia e llogaritjes së rritjes pranë qendrave paguese. Tërheqja e pensionit mujor së bashku me rritjen u bë e mundur edhe për faktin se, ISSH tashmë ka një traditë disavjeçare në këtë ndryshim, çka është përkthyer më pas në kohë rekord në të gjitha urdhrat e pagesës së pensionistëve.
Si mund t’i kuptojnë pensionistët shifrat e fundit të rritjes së pensioneve?
Siç jeni në dijeni, pensionet e pleqërisë minimale urbane, pensionet e invaliditetit urbane dhe pensionet familjare urbane, të pjesshme apo të plota, janë rritur me 6 %. Rritjen më të madhe edhe këtë herë e kanë përfituar pensionet e pleqërisë në fshat, pensionet e invaliditetit dhe pensionet familjare në fshat, të cilët kanë përfituar një rritje me 10 %. Ndërkaq, programet e veçanta, përfitimet suplementare si dhe të gjitha pensionet e tjera të pleqërisë urbane, jo minimale, janë rritur në masën 4 %. Pas vendimit të Këshillit të Ministrave, të ardhurat totale mujore për pensionin e plotë minimal të pleqërisë në qytet llogariten jo më pak se 12840 lekë në muaj. Pensioni minimal i pleqërisë, që është caktuar deri në datën 30 qershor dhe është në masën 10276 lekë, prej datës 1 korrik arrin në masën 10690 lekë në muaj, pra pëson një rritje prej 410 lekësh në muaj, ndërkohë që kësaj mase i shtohet edhe një kompensim tjetër prej 200 lekësh, çka bën që të ardhurat totale të bëhen 12.840 lekë. Për ta thjeshtuar më tej këtë llogaritje po e shtjelloj më qartë, 10.690 lekë është masa e pensionit minimal, kësaj mase u shtohen edhe një sërë kompensimesh, që bashkë me kompensimin e fundit prej 200 lekësh, të ardhurat minimale në qytet të arrijnë në nivelin e 12840 lekëve në muaj. Duke pasur parasysh që ka edhe një numër të madh personash që përfitojnë pension maksimal, për këtë kategori rritja është 4 për qind. Pra nga 20552 lekë, masa e pensionit maksimal shkon në nivelin e 21380 lekëve në muaj. Gjithashtu edhe këta pensionistë përfitojnë një kompensim në masën 500 lekë, çka bën që të ardhurat maksimale për pensionin e plotë të pleqërisë në qytet të arrijnë në nivelin e 21880 lekëve në muaj. Përveç këtyre dy llojeve të përfitimeve, vendimet e Këshillit të Ministrave përfshijnë në rritje edhe një sërë kategorish të tjera, siç janë edhe trajtimet suplementare, ku përfshihen rreth 26 mijë persona. Duke iu referuar edhe interesit tuaj, po marr si shembull pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi të ushtarakëve. Deri në datën 30 qershor masa mesatare e përfitimit për këtë kategori përfituesish arrinte në 15 412 lekë, ndërkohë me rritjen prej 4 për qindësh kjo masë shkon në 16028 lekë në muaj. Duhet të kemi parasysh se këto janë trajtime të veçanta dhe nuk përfitojnë nga kompensimet si pensionistët e tjerë, pasi marrja e këtij përfitimi nuk bëhet për shkak të plotësimit të moshës, por për efekt të reformave të ndryshe dhe ata parashikohet që mund të rikthehen sërish në punë. Ndërkaq, edhe pas kësaj rritjeje pensionisti, krahas të ardhurave nga pensioni do të vazhdojë të marrin të ardhura të tjera, që jepen me vendime të veçanta të Këshillit të Ministrave siç janë: kompensimi për energjinë elektrike dhe 414 lekë në muaj për çdo pjesëtar të familjes që është në varësi ekonomike etj.
Po përse kjo rritje e diferencuar mes kategorive të ndryshme të pensionistëve?
Si dhe herë të tjera, sidomos këtë radhë, rritja e diferencuar e pensioneve është mbështetur në disa shtylla sociale me rëndësi. Në themel të rritjes më së pari është vendosur kriteri i ruajtjes dhe i rritjes së nivelit të jetesës së popullsisë. Në funksion të këtij qëllimi janë ndërtuar pikërisht këto rritje të diferencuara të pensioneve në të gjitha llojet e tyre. Pikësëpari është synuar të ruhet dhe të mbrohet ajo kategori që jeton në qytete dhe zona urbane dhe që praktikisht trajtohet me pensione minimale. Rritja për to sipas vendimit të Qeverisë është 6% dhe kjo është shtresa që përfiton edhe më shumë, me rreth 290 mijë pensionistë në të gjithë vendin. Së dyti, është vendosur gjithashtu të vijojë rritja më e madhe për pensionet në fshat, në funksion të ecjes drejt barazimit të pensioneve rurale me ato urbane, që ka qenë edhe prioritet i kësaj Qeverie. Ndërsa shpesh, ky ekuilibër është rregulluar edhe me disa vendime, që i trajtuam më lart, që konsiderohen si shtesa dhe kompensime në të ardhurat nga pensioni. Kjo rritje që përfshin rreth 560 mijë përfitues, përbën një pjesë të rëndësishme të shoqërisë dhe familjeve shqiptare.
Sa është fondi i akorduar për të realizuar këtë rritje?
Fondi i nevojshëm për të realizuar këtë rritje është 2.024 miliardë deri në fund të vitit 2010, ose 337 milionë lekë në muaj. I gjithë fondi është vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit dhe do të vazhdojë të paguhet çdo muaj. Ky fond i akorduar është për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2010, ndërkohë që efekti financiar i kësaj rritjeje për vitin 2011 dyfishohet, pasi do të shpërndahet për të 12 muajt.

shembulli

Shembulli për pension bazë prej 13000 lekësh në muaj
Shumës prej 13000 lekësh në muaj do t’i shtohen
350 leke kompensim nga vendimi. Nr138, date 31.3.1994 “Për kompensimin e shpenzimeve nga ndryshimi i çmimit të energjisë elektrike dhe lendëve djegëse”.
150 lekë kompensim nga Vendimi. Nr 471, datë 15.7.1996 “Për kompensimin nga ndryshimi i çmimit të bukës, vajgurit dhe gazit të lëngshëm”
500 lekë kompensim nga Vendimi Nr 401, datë 21.06.2006 “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve”.
924 lekë kompensim nga Vendimi Nr 763, date 27.12.2006 “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensioneve, që në rastin konkret llogaritet si produkt i pensionit të caktuar, shumëzuar me 760 lekë dhe kjo që del pjesëtohet me pensionin bazë, pra (13.000*760/10690).
231 lekë kompensim nga Vendimi Nr 415, datë 30.04.2009 “Për rritjen e pensioneve”, që në rastin konkret, llogaritet si produkt i pensionit të caktuar, shumëzuar me 190 lekë dhe kjo që del pjesëtohet me pensionin bazë, pra (13.000*190/10690).
243 lekë kompensim nga Vendimi datë, 30.06. 2010 “Për rritjen e pensioneve”, që në rastin konkret, llogaritet si produkt i pensionit të caktuar, shumëzuar me 200 lekë, që është masa e kompensimit dhe kjo që del pjesëtohet me pensionin bazë, pra (13.000*200/10690).
Në total pensioni do të ishte:
13000 + 350 + 150 + 500 + 924 + 231 + 243 = 15398 lekë në muaj

Rritja e pensioneve

6 për qind
Pensionet e pleqërisë minimale në qytet (193200 përfitues)
4 për qind
Të gjitha pensionet, mbi minimale në qytet (89600 përfitues)
6 për qind
Pensionet e invaliditetit në qytet (46100 përfitues)
6 për qind
Pensionet familjare në qytet (51100 përfitues)
10 për qind
Pensionet në fshat, pensionet e invaliditetit në fshat,
pensionet familjare në fshat (160000 përfitues)
4 për qind
Programe e veçanta, ushtarake, minatorë, punonjës të ish-industrisë ushtarake, pilotë, detarë dhe profesorë (24640 përfitues)
Pensioni minimal
në qytet
Ishte
10276 lekë në muaj
Bëhet
10690 lekë në muaj
Shtesa
410 lekësh në muaj
E ardhura minimale në qytet
Ishte
12226 lekë në muaj
Bëhet
12840 lekë në muaj
Shtesa
614 lekë në muaj

Pensioni maksimal në qytet
Ishte
20552 lekë në muaj
Bëhet
21380 lekë në muaj
Shtesa
828 lekë në muaj
E ardhura minimale në qytet
Ishte
21052 lekë në muaj
Bëhet
21880 lekë në muaj
Shtesa
828 lekë në muaj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›