PS: Pensionet u rritën vetëm me 20 lekë në ditë
Erald Kapri
Partia Socialiste denoncon rritjen e fundit të pensioneve, duke e cilësuar atë të papërfillshme, kur në të njëjtën kohë qindra mijëra familje të tjera nuk përfituan asnjë rritje. Në një deklaratë për mediat, sekretari i Këshillit Ekonomik në PS, Ervin Bushati, tha se rritja e fundit e pensioneve ishte një tallje, por nga ana tjetër, familje me ndihmë ekonomike nuk përfituan asnjë rritje. Sipas zyrtarit të selisë rozë, rritja e pensionit është 20 lekë në ditë, ose e barabartë me vlerën e një kokrre veze. “Rritja e fundit e pensioneve është e papërfillshme, e pamjaftueshme dhe është tallja më e ulët me qytetarët që kanë punuar tërë jetën për të përfituar kaq pak sot. Në 1 korrik 2010 është zbatuar rritja më e ulët në përqindje e pensioneve në 10 vitet e fundit; si për pensionet e fshatit, ashtu edhe për pensionet e qytetit. ‘Farsa mediatike me pensionet’, që lëshon si pa të keq Kryeministri është në fakt jeta reale e qytetarëve të këtij vendi. Rritja e pensioneve në këtë kohë krize të ekonomisë familjare është me vetëm 20 lekë në ditë. Shteti u dhuron sot pensionistëve aq lekë sa për të blerë një kokërr vezë në ditë”, tha Bushati. Më tej ai renditi në deklaratën e tij shtresat buxhetore që nuk përfituan rritje në asistencat e tyre. “Por ka disa shtresa të popullsisë, të cilave u ka vajtur edhe më keq, e nuk kanë përfituar asgjë nga rritja e fundit virtuale e pensioneve. Nuk kanë marrë asnjë lekë më shumë, ose ju është dhënë 0% rritje disa kategorive shumë të rëndësishme shoqërore: Kanë marrë 0 lekë më shumë: 90 mijë familje me ndihmë ekonomike, këto familje mbahen sot me vetëm 4.000 lekë/muaj. Këto ndihma nuk mjaftojnë as për bukë, as për ujë dhe as për energji elektrike. Qeveria edhe e këtyre familjeve në nevojë, tregohet e pandjeshme dhe e paturpshme me fatkeqësinë e tyre”, tha Bushati. Sipas tij, kanë përfituar 0 rritje edhe “60 mijë persona me aftësi të kufizuar, të cilët vazhdojnë të marrin vetëm 8.700 lekë për të shtyre muajin, por edhe 10 mijë persona me fonde papunësie, të cilët mbyllin muajin me vetëm 6.000 lekë, për të gjithë nevojat ekonomike që kanë”. Sekretari i Këshillit Ekonomik në PS, Ervin Bushati, lëshoi më tej akuza ndaj Qeverisë. Ai e cilësoi buxhetin e Qeverisë si “buxhet krize”, ndërsa shtoi se Qeveria duhet të pranojë krizën. “Pasi mohoi turpshëm për kaq kohë krizën ekonomike të familjeve, Qeveria do të financojë një buxhet anemik dhe të reduktuar masivisht në investime. Deficiti i buxhetit të Qeverisë do të mbulohet nëpërmjet çmimeve të ushqimeve dhe shërbimeve më të shtrenjta nga punonjësit dhe pensionistët e vendit”, akuzoi Bushati.
Koçi: Qeveria fsheh shifrat e krizës
Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Koçi, akuzoi dje Qeverinë se po fsheh shifrat e krizës ekonomike. Në një deklaratë për mediat, Koçi tha se shifrat e Qeverisë janë bërë të pabesueshme. “Në këto momente të vështira për të gjitha familjet shqiptare, si pasojë e krizës në të cilën vendi është zhytur nga politikat e papërgjegjshme elektorale të Kryeministrit dhe ministrit të Financave, inflacioni i institucioneve shtetërore me shifrat e ekonomisë, pa baza e pa burime të besueshme është thuajse kriminal”, tha Koçi. Sipas deputetit të PS-së “realiteti ekonomik shqiptar rëndon sot mbi të gjitha familjet e këtij vendi, e nuk ka retorikë apo pretendim të Qeverisë që të mund ta fshehë këtë. Kostot e papërgjegjshmërisë po i paguajnë sot të gjithë shqiptarët, me çmimet e rritura, me faturat e shtrenjtuara, me kursimet që po merren pa të drejtë. Qeveria e ka të pamundur të pranojë publikisht se kjo situatë është rrjedhojë e korrupsionit që sot ka kapur shtetin, për interesa të pushtetit”.