E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Kosova po përjeton krizë të thellë qeveritare

Drejtuesit e Partisë së Drejtësisë, kanë vlerësuar gjatë orëve të fundit në një konferencë për mediat, se Kosova po përjeton një "krizë të thellë qeveritare" dhe kërkuan nga presidenti, fillimin e konsultimeve me subjektet politike të vendit, menjëherë pas përfundimit të procesit zgjedhor 2009, për shpalljen e zgjedhjeve parlamentare. Madje, sipas PD-së, ato do të duhej të shpalleshin në qershor të vitit 2010. "Partia e Drejtësisë vlerëson se është tejkaluar vija e kuqe e tolerancës ndaj shkeljes së votës së lirë të qytetarëve të vendit. Faktet e shumta të parashtruara për veprimet kriminale pas mbylljes së vendvotimeve, dëshmuan edhe një herë se qytetarët e Kosovës janë në nivel shumë më të lartë të veprimit demokratik sesa disa përfaqësues të tyre politikë, dhe se janë të domosdoshme ndryshimet substanciale në udhëheqjen politike të vendit", thuhet në një deklaratë të kësaj partie. Partia e Drejtësisë, njëherësh ka kërkuar nga Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa që të vendosë për përsëritjen urgjente të zgjedhjeve në vendvotimet kontestuese, dhe ndërmarrjen e masave energjike ligjore kundër keqpërdoruesve të besimit të qytetarëve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›