E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-LSI, bashkë për fitoren e zgjedhjeve të pjesshme

Me datën 15 nëntor votohet në 5 zona zgjedhore

Zgjedhjet e pjesshme lokale, përballja si një test politik

Një tjetër përballje zgjedhore me datën 15 nëntor, por këtë radhë në nivel lokal dhe të pjesshme, të cilat konsiderohen si një test i ri për klasën politike në vend. Në këto zgjedhje, PD-ja dhe LSI-ja mësohet se do të bashkëpunojnë si aleancë e përbashkët për fitoren e 5 njësive bashkiake, ndërkohë që nga selia e PS-së ende nuk ka një qëndrim zyrtar për pjesëmarrjen apo jo në garën lokale të 15 nëntorit. Procesi i votimit do të zhvillohet në njësinë bashkiake nr. 10 në Tiranë për zgjedhjen e kreut të ri të kësaj njësie. Gjithashtu do të ketë zgjedhje për kryetar të Bashkisë së Klosit në rrethin e Matit, për kryetar të Bashkisë së Fushë-Arrëzt, për kryetar të komunës së Fierzës në Tropojë si dhe të komunës së Otllakut në Berat. Zgjedhjet zhvillohen për shkak të vendeve vakante pas mandatimit të deputetëve Gert Bogdani, Besnik Dushaj, Lefter Maliqi, Bedri Hoxhs dhe Ndue Paluca. Në këtë mënyrë banorët e pesë njësive vendore, që kanë mbetur pa drejtues për shkak të zgjedhjes së kryetarëve të tyre deputetë në Kuvendin e ri, do të votojnë sërish më datën 15 nëntor. Dy ditë më parë, Presidenti i Republikës shpalli dekretin për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme për postin e drejtuesit në dy bashki, dy komuna dhe një njësi bashkiake: përkatësisht në qarkun e Tiranës, të Kukësit, të Dibrës dhe Beratit. Zgjedhjet në njësinë bashkiake numër 10 në Tiranë do të mbahen pas mbetjes vakant të postit të kryetarit, pasi drejtuesi i mëparshëm, Gerti Bogdani, fitoi mandatin e deputetit të PD-së në zgjedhjet e 28 qershorit. Përveç kësaj njësie bashkiake, në proces të pjesshëm zgjedhor do të përfshihen edhe katër njësi të tjera vendore, përkatësisht dy bashki dhe dy komuna. Bashkia e Fushë-Arrëzit do të ketë një drejtues të ri pas datës 15 nëntor, pasi kryetari i mëparshëm, Ndue Paluca, është zgjedhur deputet në qarkun e Shkodrës. Edhe Bashkia Klos në qarkun e Dibrës do të zëvendësojë kryetarin, pas zgjedhjes së drejtuesit të mëparshëm të saj, Bedri Hoxha, i cili fitoi mandatin e deputetit të PD-së.

Zgjedhjet e pjesshme lokale do të zhvillohen edhe në komunën Fierzë (qarku Kukës), ku kryetari i saj, Besnik Dushaj i PD-së, është zgjedhur po ashtu deputet, si dhe në komunën Otllak, në qarkun e Beratit, ku Lefter Maliqi, ish-kryetar i kësaj njësie, u rendit në listën fituese të PD-së në zgjedhjet parlamentare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›