Korrupsioni, tre në pranga, arrestohen drejtori dhe juristi i Hipotekës së Vlorës
Policia e Shtetit ka arrestuar drejtorin e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Vlorës, pasi akuzohet për korrupsion pasiv gjatë ushtrimit të detyrës së tij. Gjithashtu, është vënë në pranga edhe juristi i Hipotekës së qytetit bregdetar, si bashkëpunëtor në këtë vepër penale, si dhe pronari i ri i një trualli, i cili ka përfituar në këto abuzime. Punonjësit e Antikrimit Ekonomik dhe Antikorrupsionit në Policinë e Shtetit arrestuan ditën e djeshme Edmond Bushatin, juristin Viktor Kulaj dhe Oat Begajn, i cili ka përfituar në mënyrë abuzive toka në qytetin bregdetar. Ndalimi i kreut të ZRPPV u krye pasditen e djeshme në kryeqytet, nga forcat e policisë së Vlorës dhe ato të Tiranës, ndërkohë që juristi i këtij institucioni u kap në qytetin bregdetar. Hetimi për drejtorin e Hipotekës së Vlorës nisi pas denoncimit të kryer nga disa persona para disa muajsh. Më pas agjentët nisën kontrollet, ku vërejtën shkelje të shumta, që çuan më pas në arrestimin e tyre.
Hetimet
Pas marrjes së informacioneve në rrugë operative, policia e Vlorës në bashkëpunim me Zyrën e Task-Forcës pranë Prokurorisë nisën menjëherë hetimet. Sipas burimeve nga policia, Banushi kishte rreth një vit që ishte nën hetim nga agjentët. Ai dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë falsifikonin dokumentet dhe merrnin para nga funksioni që ai ushtronte. Nga kontrollet e kryera rezultoi se gjatë periudhës që ai kishte qenë drejtor, kishte shkelje të shumta në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive në Vlorë. Banushi kishte rreth katër vjet që ishte drejtori i Hipotekës së Vlorës. Skemën e përfitimit të parave nëpërmjet falsifikimeve ai nuk e kryente i vetëm, por në bashkëpunim me persona të tjerë zyrtarë, të cilët janë nën hetim. Agjentët vunë në pranga edhe juristin e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive, Viktor Kulajn. Sipas burimeve nga policia, nëpërmjet përfitimit të parave, dy zyrtarët kanë abuzuar në regjistrimin e pronësisë së disa trojeve në qytetin bregdetar. Ndërkohë që nga hetimet rezulton se ka persona të tjerë, të cilët kanë marrë pjesë në këto shkelje dhe ndaj tyre priten të merren masa. Agjentët ndaluan edhe Oat Begajn, i cili ka përfituar në mënyrë të paligjshme, prona në bregdet, me anë të korrupsionit, në bashkëpunim me dy drejtuesit e hipotekës.
Operacioni
Ditën e djeshme, forcat e policisë së Vlorës në bashkëpunim me ato të Tiranës, kryen një operacion me qëllim ndalimin e Banushit. Ai kishte udhëtuar në Tiranë, kur është vënë në pranga nga forcat e policisë. Menjëherë drejtori i Hipotekës së Vlorës është dërguar në qeli, në pritje për të dalë përpara gjykatës për të marrë masën e arrestit. Ndërkohë që juristi i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive Viktor Kulaj, u vu në pranga në qytetin bregdetar. Sipas burimeve nga policia, , ka të tjerë të dyshuar dhe priten të tjera arrestime. Të dy të ndaluarit akuzohen për kryerjen e veprës penale të “falsifikimit të dokumenteve” dhe “shpërdorim detyre”.