E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-LSI, marrëveshja e pashkruar për ndarjen e zonave



Bashkëqeverisin në nivel qendror, por në atë lokal do të hyjnë në zgjedhjet e 15 nëntorit si “kundërshtarë” politikë, veçse me një marrëveshje të pashkruar mes palëve. Burime brenda PD-së dhe LSI-së konfirmojnë se ka një mirëkuptim mes dy partive për një ndarje zonale në raportin 4 me 1. Palët konfirmojnë komunën Otllak në Berat si favorite për Lëvizjen Socialiste për Integrim, nisur dhe nga fakti se kjo zonë në zgjedhjet e mëparshme ishte fituar po nga kjo parti. Në këtë mënyrë, LSI-ja e Ilir Metës do ta ketë më të lehtë mbajtjen e fitores, këtë radhë edhe me mirëkuptimin e demokratëve. Këta të fundit synojnë konfirmimin e mandateve të 4 zonave të tjera zgjedhore. Kryesia e Partisë Demokratike caktoi dje kandidaturat e saj për zgjedhjet e pjesshme vendore të 15 nëntorit, në tri bashki dhe 2 komuna në vend. Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Erla Mëhilli, bëri të ditur se pas diskutimeve në mbledhjen e kryesisë së vogël në PD, të drejtuar nga Kryeministri dhe njëkohësisht kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është vendosur për 5 kandidaturat më të përshtatshme për zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit. Znj. Mëhilli njoftoi: “Për njësinë nr. 10 në Tiranë kandidat është Blendi Fuga, për komunën Fierzë në Tropojë, Gjelosh Pepkolaj, komunën Olltak në Berat Muharrem Hoxha, Bashkinë Klos në Mat, Ramazan Mjeshtri dhe Bashkinë Fushë-Arrëz, Alfred Qasa”. Këto kandidatura iu dërguan dje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për regjistrim, duke qenë se ishte edhe afati i fundit i paracaktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për regjistrimin e kandidatëve të forcave elektorale për zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit. Këto zgjedhje zhvillohen në 5 njësi vendore pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, ku krerët e këtyre njësive vendore fituan mandatin e deputetit. Socialistët e Edi Ramës kanë vendosur të bojkotojnë pjesëmarrjen në zgjedhjet e pjesshme. Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, deklaroi dje se "KQZ, përmes shkresave, e ka mbyllur komunikimin zyrtar me Partinë Socialiste për sjelljen e propozimeve për anëtarët e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ), në zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit". "Ne me shkresa e kemi mbyllur komunikimin zyrtar me PS-në. Mungesa e përgjigjes është normalisht përgjigje negative", - u shpreh kryetari Ristani gjatë mbledhjes së djeshme të KQZ-së, ku u miratua konstituimi i pesë KZAZ-ve që do të funksionojnë gjatë procesit elektoral të 15 nëntorit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›