E Diel, 1 Nëntor 2026

Fundi i një epokeNga Enton PalushiPo, është fundi i një epoke. Por thjesht epokës së gazetës Tema. Nuk u mbyll një gazetë për shkak se po përfundon epoka e mediave që janë në pronësi të gazetarëve dhe po lind periudha e mediave në pronësi të biznesit

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Fundi i një epokeNga Enton PalushiPo, është fundi i një epoke. Por thjesht epokës së gazetës Tema. Nuk u mbyll një gazetë për shkak se po përfundon epoka e mediave që janë në pronësi të gazetarëve dhe po lind periudha e mediave në pronësi të biznesit, siç rreken të thonë disa. Nuk është ky ai procesi normal që ndodh në shumë vende të botës. Këtu ka sërish media në gjendje të mirë financiare në pronësi të gazetarëve, siç ka pasur dhe ka media në pronësi të biznesit. Nuk ka media kamikaze të gazetarëve dhe media kalkuluese të biznesit. Ka media që janë nën sqetullën e qeverisë, e të tjera që nuk e pranojnë këtë. Këto të fundit janë të destinuara të vuajnë. Për të tjerët ka koncensione, tendera, leje ndërtimi, licenca, reklama etj. Mediat e biznesit që raportojnë kundër qeverisë janë po aq të ashpra në betejën e tyre, e vuajnë po aq shumë sa mediat në pronësi të gazetarëve. Rasti Kokëdhima është një shembull i kësaj.
Gazetës Tema i sosi potenciali ekonomik për të vijuar punën e saj, e kjo jo për shkak të funksionimit normal të tregut.
Shumëkush mund të jetë familjar me çështjen e dëbimit tonë nga redaksia, duke na shkatërruar investimin, pa përfillur drejtësinë. Po ashtu dinë për sulmet shtazarake mbi drejtuesin Baze.
Por kjo e jona ka qenë një betejë ku edhe detajet janë tronditëse.
Ju nuk e dini që kur qeveria vendosi të prishë kontratën e saj për disa reklama në gazetën tonë, vendosi t’i niste njoftimet për botim një gazetari të rubrikës sociale, që nuk ishte marrë kurrë me këtë çështje, dhe që i ishin raportuar si junk mail. Të nesërmen, kur njoftimi nuk u botua, ata gjetën pretekstin për të na larguar të gjithë reklamat.
Fjala bie, asnjëherë nuk kemi raportuar për një përpjekje të pafundme tonën pranë KESH për të na rregulluar sahatin që maste energjinë, i cili u la qëllimisht ashtu pa ardhur askush deri sa na u ndërprenë dritat për të lënë pa punën gazetën e shtypshkronjën.
As për rastin kur dera e redaksisë u dëmtua nga sulmet me gurë të disa të rinjve që u larguan me shpejtësi me motorr, duke lënë të tromaksur gazetarin e kronikës, të vetmin që ndodhej në redaksi dhe që nuk kishte guxim të hapte derën se mund të përballej me ndonjë gur gjysëmkilosh.
Nuk është e lehtë të përballesh gjithmonë me idenë se do zbohesh e do sulmohesh.
Megjithatë Tema la një trashëgimi të sajën. Ajo është media që ka shkruar më shumë ndoshta se të gjitha mediat bashkë për nevojën e zgjedhjeve të lira në vend, pa dyshim që është media që ka denoncuar më shumë raste të korrupsionit në vendin më të korruptuar të Europës, është partizania më e flaktë e tezës se opozitën nuk e bën qeveria. Tema është gazeta që ka bërë adhurues të shumtë në Kosovë e rajon, duke qenë ndër të paktat media në vend që u ka krijuar hapësirë. Pa mundësi financiare, në një botë ku informacioni vërshon kudo, Tema arriti që të ishte ndër faqet më të klikuara në Shqipëri, më të komentuarat ndër forume e blogje.
Është trishtuese që qeveria na sheh sikur kemi përgjegjësi të barabarta në drejtimin e shtetit, madje na atribuon pjesën më të madhe të të këqijave që ndodhin në vend, neve dhe opozitës politike. Por kjo është dhe arritje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›