E Diel, 1 Nëntor 2026

Pas seancës, Berisha në zyrën e Topit për të marrë dekretimin

Qeveria e re do të shpallet pasi Presidenti të dekretojë kryeministrin e ri. Ditën e hënë mbahet seanca e parë parlamentare pas zgjedhjeve

Eljona Ballhysa
Qeveria e re do të bëhet publike pas dekretimit të kryeministrit të ri të vendit nga Presidenti i Republikës. Kjo pritet të ndodhë pas zhvillimit të seancës së parë të Kuvendit. Në Kushtetutën e Shqipërisë është parashikuar që Presidenti të thërrasë për të dekretuar si kryeministër propozimin e partisë apo të koalicionit që në zgjedhjet parlamentare ka fituar shumicën e mandateve të deputetëve në Kuvendin e ri. Sipas burimeve nga Kryeministria, kryeministri Berisha do të paraqitet në zyrën e kreut të shtetit pas seancës së parë parlamentare, që do të mblidhet ditën e hënë, në orën 18:00. Sipas burimeve, Berisha mund të dekretohet nga presidenti edhe ditën e hënë në mbrëmje, por edhe në ditët e tjera në vazhdim, por jo para së hënës. Madje këtë e ka konfirmuar vetë kryeministri Berisha gjatë një interviste. Ai është shprehur se nuk mund ta bëjë publike qeverinë e re pa u dekretuar nga Presidenti i Republikës. Sipas tij, duhet më parë të mblidhet Kuvendi, të verifikohen mandatet e deputetëve dhe më pas të dekretohet kryeministri i ri. Më pas ky i fundit paraqet qeverinë e re dhe ministrat e rinj. “Sipas Kushtetutës, presidenti Topi duhet të më dekretojë njëherë si kryeministër dhe pastaj unë të deklaroj zyrtarisht përbërjen e qeverisë së re.
Nuk mund ta shpall para datës 7, pasi Kushtetuta kërkon që të mblidhet Parlamenti, të verifikohet mandati i deputetëve dhe maxhoranca në Kuvend dhe pastaj unë, si kryeministër i dekretuar nga Presidenti i Republikës, të shpall emrat e qeverisë së re”, - është shprehur Berisha.
Procedura
Në seancën e parë të Kuvendit të ri, ku nuk lejohet të zhvillohen debate, ngrihet komisioni që do të verifikojë vlefshmërinë e mandateve të certifikuara nga KQZ-ja të 140 deputetëve. Në Nenin 2 të Rregullores së Kuvendit thuhet saktësisht se “me hapjen e mbledhjes së parë të legjislaturës, drejtuesi i seancës i njofton Kuvendit emrat e personave të zgjedhur dhe kërkon verifikimin e mandateve të tyre”. Komisioni përbëhet nga 9 deputetë dhe pasqyron, për aq sa është e mundur, përbërjen politike të Kuvendit, siç del nga rezultati i zgjedhjeve. Propozimet për përbërjen dhe kryesinë e Komisionit bëhen nga përfaqësuesit e grupimeve politike dhe miratohen nga Kuvendi me votim të hapur, me shumicën e votave të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij. Gjithashtu, në mbledhjen e parë, tre deputetë, ndër deputetët me moshën më të re, caktohen nga drejtuesi i seancës të kryejnë përkohësisht detyrën e anëtarëve të Sekretarisë së Kuvendit deri në zgjedhjen e Byrosë së Kuvendit.
Në seancën e dytë të Kuvendit të ri paraqitet raporti i Komisionit të Verifikimit të Mandateve të Deputetëve dhe nis procedura e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit. Kjo është e parashikuar në Rregulloren e Kuvendit, në pikën 2 të Nenit 3 të saj. Menjëherë pas verifikimit të mandateve deputetët ftohen të bëjnë betimin, duke lexuar tekstin e betimit, i cili lexohet nga drejtuesi i seancës. Deputetët që mungojnë në seancën kur kryhet betimi betohen në seancën më të parë që marrin pjesë. Menjëherë pas kryerjes së betimit nga deputetët procedohet me zgjedhjen e kryetarit dhe të Byrosë së Kuvendit.
Ndërkaq, mandatet e deputetëve do të verifikohen nga Gjykata Kushtetuese në ato raste kur Komisioni për Vlefshmërinë e Mandatit të Deputetëve vëren paligjshmëri në zgjedhje. Komisioni ia propozon Kuvendit dërgimin e çështjes në Kushtetuese. Kërkesa hartohet nga Komisioni dhe duhet të nënshkruhet nga jo më pak se një e pesta e të gjithë deputetëve brenda 3 ditëve nga leximi i raportit. Por, nëse në përfundim të kësaj periudhe kërkesa nuk është nënshkruar dhe dërguar në Gjykatën Kushtetuese, deputeti ftohet të kryejë betimin.

Kushtetuta
Neni 96
1. Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, si dhe kur vendi i kryeministrit mbetet vakant, emëron kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive që ka shumicën e vendeve në Kuvend.
Neni 97
Kryeministri i emëruar sipas Nenit 96, Nenit 104 ose 105, i paraqet për miratim Kuvendit brenda 10 ditëve, programin politik të Këshillit të Ministrave së bashku me përbërjen e tij.

7 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›