PD, Mëhilli: PS ant-global, Agjencia Kombëtare Bërthamore është detyrim kombëtar

Tiranë, 24 janar NOA Zëdhënësja e Partisë
Demokratike, Erla Mëhilli ka reaguar sot për deklaratën e deputetit të PS-së
Ervin Bushati i cili u shpreh sot publikisht se Berisha po kërkon heqjen e vëmendjes
nga kriza me vendimin e krimit të Agjencisë Kombëtare Bërthamore.
Edvin Kristaq Rama dhe pinjollët e tjerë të
nomenklaturës së vjetër, sot shfaqën para publikut dimensionin e tyre anti
global. Ata u ngritën kundër krijimit të Agjencisë Kombëtare Bërthamore, e cila
përbën një detyrim kombëtar dhe ndërkombëtar për Shqipërinë në procesin e
integrimit të saj euro-atlantik.
Agjencia Kombëtare Bërthamore ka si mision
shumë të rëndësishëm përgatitjen e një kuadri modern ligjor për mbrojtjen e
qytetarëve shqiptarë nga të gjitha format e rrezatimit bërthamor.
Kjo agjenci ka për detyrë të përgatisë të
gjithë infrastrukturën ligjore për përdorimin më të gjerë të mundshëm të
energjisë bërthamore për qëllime paqësore, përfshirë këtu përdorimin e këtij
burimi energjetik për prodhimin e energjisë elektrike tha Mëhilli.
Sipas saj, paragjykimi dhe denoncimi i këtij
vendimi shumë të rëndësishëm për vendin nga ana e Edvinit dhe bllokmenëve të
rinj është thjesht një qëndrim atavist i bazuar në doktrinën e etërve të tyre
historik e biologjik por kryekëput i pavlerë në kohët e sotme.
Përsa i përket kërcënimit për referendum, PD
e njeh si legjitim dhe mjet demokratik referendumin por sa mund ta thërrasin
atë ata të cilët provuan referendumin në Partinë e tyre, por që siç u pa
përfundoi si Kokoshi një Thelë, ku sipas vetë statistikave të tyre nga 87.000
anëtarë të kësaj partie morën pjesë gjithsej 6735 votues përfundoi zëdhënësja
e PD.
k.k/NOA