E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, Mëhilli: Rama armik i shtypit të lirë

TIRANë- Partia Demokratike reagoi sot ndaj aktit të drejtuesve të PS-së, të cilët përjashtuan dje gazetarin e RTSH-së nga konferenca e tyre për shtyp.

Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, e konsideroi këtë veprim "dëshmi e qëndrimit brutal të PS-së ndaj mediave që u thonë qytetarëve të vërtetën".

"Hakmarrja primitive e Edi Ramës ndaj Radio Televizionit Publik Kombëtar, për fajin e vetëm se ky i fundit ka sjellë në ekranin e tij zërin e protestës së qytetarëve të Tiranës, për vuajtjen që Rama u shkakton atyre me bllokimin e trafikut çdo ditë, dëshmon faktin që ai është një armik i egër i lirisë së shtypit dhe një rrezik i madh për të drejtën e informimit", thuhet në deklaratën e PD-së.

PD fton mediat të ngrenë zërin e protestës ndaj këtij qëndrimi të Edi Ramës si një rrezik i madh për të sotmen dhe të ardhmen e tyre.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›