PD, Mima: Tjetër rast flagrant i abuzimeve me trojet, të Edi Ramës
Autori i Lajmit: RedaksiaPas debateve lidhur me shitjen e truallit ne Parkun Rinia, Partia Demokratike paralajmëron denoncimin e një rasti tjetër flagrant të vjedhjes e abuzimit të ligjit nga bashkia e Tiranës. Deputeti demokrat, Florian Mima, bëri të ditur se rasti në fjalë ka ndodhur në lagjen "Ali Demi". Ndërkaq ai i kërkoi kryebashkiakut, Rama, të sqarojë përse trojet në Dajt shiten me 1500 euro metri katror, ndërsa në qendër të Tiranës, vetëm 90 euro metri katror. "Pse toka rreth hotel "Dajtit" është shitur me 1500 euro/m2, ndërsa toka disa metra larg saj, parku Rinia, është shitur vetëm me 94 euro/m2. Edi Rama duhet të gjejë kurajon dhe të dale të përgjigjet vetë e të mos nxjerr në ekrane zedhënëset e tij, të cilat jo vetëm kërcënojnë deputetët e popullit por vënë dhe epitete ndaj tyre. I them Edi Ramës se ne nuk kemi frikë nga kërcënimet e tij dhe nëse ka njeri që duhet të ketë jo lepurin, po mamuthin në bark, ai është Edi Rama. Ai të mos përdorë për gjethe fiku, ata që sot shesin pronë 500 euro, dhe nesër po atë pronë e blejnë me 1 euro. Këto ditë është bërë e ditur nga një grup banorësh në lagjen "Ali Demi", një tjetër shkelje flagrante e kreut të bashkisë së Tiranës në dhunim të hapur të të drejtës pronësore të një familje të vjetër tiranase, dhe në kundërshtim flagrant me ligjet dhe gjykatat e këtij vendi", - deklaroi Florian Mima.
Ky lajm është publikuar: 25/12/2009