Suedia: “Bojkoti i opozitës, asnjë efekt pozitiv”
Autori i Lajmit: RedaksiaNdërkombëtarët vazhdojnë të shprehen kundër bojkotit të opozitës shqiptare. E ngarkuara me punë e Suedisë në Tiranë, Elisabet Stam, ka pohuar dje se bojkoti i opozitës tashmë për muaj me radhë, nuk ka sjellë asgjë pozitive. Më tej, duke iu referuar Progres- raportit të tetorit, Stam u shpreh se ecuria e reformave në Shqipëri ndiqet me një interes të veçantë nga vendet e unionit. Suedia mbyll Presidencën 6–mujore të Bashkimit Evropian me një bilanc pozitiv për vetë bllokun dhe vendet aspirante: Ratifikimi i Traktatit të Lisbonës, heqja e vizave për tre vende të Ballkanit, pranimin e shqyrtimit të kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat. Për Shqipërinë vlerësimi i kësaj presidence është i qartë: “Ka bërë progres”!
Vlerësimi
“Ne kemi monitoruar procesin e reformave në Shqipëri. Dhe se bashku me aktorët e tjerë të unionit, bëmë raportin që u botua në muajin tetor. Këtë vit ai ishte më i mirë se ai i një viti më parë. Nuk mund të themi se ishte jashtëzakonisht i mirë, por ne themi shpesh që do të donim një progres të përshpejtuar, më të shpejtë se çka ndodhur. Por, me sa duket, Shqipëria ka prioritete të tjera për momentin”, - pohoi dje e ngarkuara me punë e Suedisë në vendin tonë. Për të theksuar mbështetjen e vendit të saj për Shqipërinë gjatë Presidencës së Bashkimit Evropian, Stam është ndalur tek vendimi i 16 nëntorit që i hapi rrugë shqyrtimit të kërkesës për statusin e vendit kandidat dhe përshpejtimit për liberalizimin e vizave. Diplomatja suedeze komenton edhe situatën politike në Shqipëri. I quan protestat e opozitës si e drejtë demokratike, por shprehet qartë se, pas disa muajsh tubimesh dhe bojkoti të Kuvendit, nuk ka pasur asnjë efekt pozitiv prej tyre. “Ne kemi dhënë opinionin tonë që në fillimet e këtij bojkoti dhe sigurisht protestat janë një pjesë e demokracisë dhe për sa kohë ato janë paqësore, janë gjithashtu dhe të pranueshme. Por nga ana tjetër, që prej disa muajsh nuk po shohim asnjë efekt pozitiv të këtij bojkoti. Ne i kemi kërkuar lidershipit politik në vend, të të dy palëve, që duhet gjetur dialogu, sepse në të kundërt kjo do të ishte diçka e keqe për Shqipërinë dhe shqiptarët”, - tha ajo. Mungesa e opozitës në Parlament, është shprehur Stam, ka ndikim negativ edhe në proceset integruese, në projektin afatgjatë të anëtarësimit apo atë të afërt të heqjes së vizave. “Bojkoti i opozitës është gjithashtu negativ dhe për procesin integrues të Shqipërisë dhe për procesin e liberalizimit të vizave. Ka disa kritere dhe rregulla që duhen respektuar dhe nëse situata politike mbetet pezull kjo do të jetë e vështirë për ne që të mbështesim integrimin e shpejtë të Shqipërisë dhe nga ana tjetër kjo mund të ketë efekte negative. Ky proces duhet përshpejtuar jo vetëm për të mirën tuaj, por dhe për ne”, - ka përfunduar ajo. Spam iu është shtuar në këtë mënyrë zërave të shumtë të ndërkombëtarëve, të cilët janë shprehur kundër bojkotit të opozitës. “Të gjithë e dimë qëndrimin e Komisionit Evropian. Debatet në demokraci bëhen në Parlament, jo jashtë tij”, - është shprehur ambasadori i Komisionit Evropian, Helmut Lohan. Ai u kujtoi deputetëve socialistë se është Kuvendi, arena ku zhvillohen debatet në demokraci. Ndërkohë që ambasadori i Holandës në Tiranë, Henk Van Den Dool, ka pohuar se secila nga palët ka përgjegjësi për këtë situatë dhe duhet që së bashku ta zgjidhin atë. “Unë do të doja që të gjithë njerëzit të shikonin se kush do ta zgjidhë këtë situatë dhe për ta bërë këtë gjë duhet të ndahen përgjegjësitë. Është shumë e thjeshtë të thuash që opozita e ka fajin, sepse po bojkoton Parlamentin. Unë nuk dua të komentoj këtë gjë, por është tjetër të thuash se opozita po bojkoton Parlamentin dhe duhet të zgjidhet kjo gjë, sepse nuk është problemi i opozitës, por edhe problemi i mazhorancës, jo për faktin se janë gabuar apo kanë të drejtë, por sepse qeveria është qeveri dhe ka një përgjegjësi ekstra dhe duhet të kalojë këtë situatë”,- është shprehur tha Van Den Dool. Ambasadori holandez ka thënë se palët duhet të kapërcejnë këtë situatë dhe të bashkohen për të çuar përpara procesin e integrimit të vendit ne Bashkimin Evropian. “Mendoj se koha po vjen që të lihen mënjanë mosmarrëveshjet politike, sepse është integrimi evropian çështja më kryesore në axhendë si për PD ashtu dhe për PS, për LSI apo dhe për gjithë të tjerët. Të gjithë duhet të bashkojnë forcat”, - ka thënë Van Den Dool.
Kanë thënë
Henk Van Den Dool
“Unë do të doja që të gjithë njerëzit të shikonin se kush do ta zgjidhë këtë situatë dhe për ta bërë këtë gjë duhet të ndahen përgjegjësitë. Është shumë e thjeshtë të thuash që opozita e ka fajin, sepse po bojkton Parlamentin. Është tjetër të thuash se opozita po bojkoton Parlamentin, sepse nuk është problemi i opozitës, por edhe problemi i mazhorancës”.
Helmut Lohan
Bashkimi Evropian tregon interes për futjen sa më parë të opozitës në rrjedhat e një jete parlamentare normale. Duke folur për bojkotin e opozitës në Kuvend kreu i Delegacionit të Komisionit Evropian në vendin tonë, ambasadori Helmut Lohan, ka deklaruar se debati më i mirë politik bëhet në Parlament.
Elisabet Stam
“Ne kemi dhënë opinionin tonë që në fillimet e këtij bojkoti dhe, sigurisht, protestat janë një pjesë e demokracisë dhe për sa kohë ato janë paqësore, janë gjithashtu dhe të pranueshme. Por nga ana tjetër, që prej disa muajsh nuk po shohim asnjë efekt pozitiv të këtij bojkoti. Ne i kemi kërkuar lidershipit politik të gjejnë dialogun”
Robert Bosh
“Kuvendi është vendi i duhur për bashkëpunim politik, ku qeveria dhe opozita duhet të bashkëpunojnë mbi rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet. Ne jemi gati për të mbështetur Shqipërinë, në rast se kërkohet për të ndihmuar qeverinë, si dhe opozitën, brenda Parlamentit, për të zbatuar realisht rekomandimet e raportit të ODIHR-it”.
Ky lajm është publikuar: 25/12/2009