E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama, Ngjela dhe e ardhmja e opozitësNga Skënder MinxhoziDy ish-miq dhe ish-kundërshtarë të flaktë (këto kategori etiko-politike janë mjaft të pleksura në klasën tonë politike), kanë shfaqur së fundi sinjale domethënëse afrimi dhe, nëse rrethanat do

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Rama, Ngjela dhe e ardhmja e opozitësNga Skënder Minxhozi

Dy ish-miq dhe ish-kundërshtarë të flaktë (këto kategori etiko-politike janë mjaft të pleksura në klasën tonë politike), kanë shfaqur së fundi sinjale domethënëse afrimi dhe, nëse rrethanat do e lejojnë, edhe bashkëpunimi. Edi Rama dhe Spartak Ngjela, dy ndër figurat më të spikatura të opozitës së sotme, duket se po vendosin gradualisht një paralele idesh dhe qëndrimesh që i bashkon rreth leximit të votës së 28 qershorit, por sidomos rreth asaj që duhet të jetë e ardhmja e opozitës pas kësaj date, e cila mbajti në pushtet Sali Berishën. Disa takime mes tyre janë raportuar deri tani nga mediet, pa dhënë hollësi të tjera, të cilat duket se zbulohen gradualisht në deklarimet e përafërta që Rama dhe Ngjela po mbajnë dhe që duken gjithnjë e më të koordinuara.

Spartak Ngjela është një politikan impulsiv, sanguin nga natyra. Në kushte krejt të ndryshme dhe në kohëra tashmë shumë të largëta, ai ka ditur të mos jetë dakord me të fuqishmit e kohës duke mbrojtur me të gjitha kostot përkatëse idenë e vet kulturore, sociale dhe politike. Kjo e ka bërë Ngjelën një “specie” rregullisht në rrezik zhdukjeje, në një skenë politike ku parimet dhe morali përgjithësisht janë konvencione që nuk respektohen nga shumica e lojtarëve. Një rast i prekshëm i ditëve të fundit është gjesti i Ilir Metës, që e mori në krah partinë e tij dhe e çoi te dera e kryeministrit.

Projekti politik i Ngjelës në lidhje me atë që opozita duhet të bëjë në javët dhe muajt në vazhdim, pasqyron në fakt mënyrën se si ai e sheh jetën politike. Pra, si një zinxhir tentativash, nismash dhe lëvizjesh, të cilat mund edhe të dështojnë, por që jo për këtë arsye duhen lënë pa u provuar. Aktualisht, Ngjela po përpiqet të afrojë Ramën (apo ndoshta vetë Rama po pret që Ngjela të afrohet tek ai?!), rreth një skeme opozitare, e cila synon të mbajë gjallë, e mundësisht të ndezë zjarrin e një reagimi të përgjithshëm qytetar ndaj asaj që ka ndodhur me zgjedhjet e fundit. Diçka e vështirë, nëse merret parasysh fakti se nisma të tilla, që kërkojnë pjesëmarrje masive qytetare, kanë qenë shpesh të destinuara për t’u mbytur në detin e indiferencës që karakterizon opinionin tonë publik. Obstruksionizmi i shëndetshëm që kjo frymë po përpiqet të kultivojë mes shqiptarëve, në lidhje me respektimin e standardeve të zgjedhjeve, është njëherësh një shpresë dhe një sfidë. Madje është më shumë e dyta se e para.

E megjithatë kjo dyshe, pas së cilës simbolikisht qëndrojnë figura të tjera majtas dhe djathtas, përfaqëson në momentin aktual një hapje interesante të opozitës së sotme, e cila, me sa duket, ndjen se çiftit të blinduar Berisha-Meta i duhet kundërvënë një front sa më unitar dhe pa paragjykime. Nga ana tjetër, kjo gjetje përfaqëson për vetë Ramën një sasi të mirëpritur oksigjeni, pas distancës që po i mbajnë ish-aleatët e majtë, si dhe pas problemeve të brendshme në parti dhe rrezikut të përfaqësuar nga pesë deputetët rebelë.

Kjo lëvizje që po merr formë, deri tani më shumë me fjalë sesa me vepra, është gjithsesi në disens të hapur me atë që është sot qëndrimi zyrtar i vendeve kryesore perëndimore ndaj 28 qershorit. Të paktën ai qëndrim që përfshihet në dokumentin formal të zgjedhjeve, që është raporti final i OSBE/ODIHR. Përkundër një dizenjoje mjaft të lexueshme të ndërkombëtarëve, e cila parasheh në esencë kthimin e opozitës në parlament dhe mbylljen e dosjes së zgjedhjeve, opozita vijon të ngulmojë te standardet e pamjaftueshme, me të cilat u zhvilluan votimet e fundit dhe për pasojë te pushteti i deformuar që ato prodhuan. Me gojën e disa zyrtarëve të lartë në Bruksel dhe të disa ambasadorëve në Tiranë, Bashkimi Evropian dhe shumë më pak SHBA, ka bërë të ditur se kërkon që në një formë a një tjetër dosja e zgjedhjeve të arkivohet ashtu siç është, me të gjitha zullumet e saj që sot dergjen të kyçura në mijëra kutitë e votimit, në bodrumet e Pallatit të Kongreseve dhe diku në periferi të Tiranës. Tendenca e mbylljes me çdo kusht të sherrit, megjithëse nuk janë të gjitha kushtet që kjo të ndodhë, bën që ndërkombëtarët t’i japin dritë jeshile një qeverie, e cila numerikisht mbahet në këmbë në fije të perit, kurse politikisht ngrihet mbi një përplasje që s’ka gjasa të mbarojë nesër apo javës tjetër mes pozitës dhe opozitës.

Në këtë mjedis të mbarsur me tension, kalkulimi i vetëm i dyshes virtuale Rama-Ngjela ecën sipas parimit “sa më keq, aq më mirë”. Pra, sipas një formule që parasheh destabilizimin e qeverisë së sapoformuar, vështirësimin e jetës së saj parlamentare dhe dobësimin gradual të imazhit dhe peshës që ajo ka në marrëdhënie me ndërkombëtarët. Përcaktimi magjik në tekstin e raportit, sipas të cilit një e treta e votave u numëruan “keq ose shumë keq”, duket se do të jetë çengeli ku qëndrojnë të varura sot të gjitha projektet e Avokatit dhe të kreut të Bashkisë së Tiranës dhe që përmblidhen në thirrjen shpesh emotive të tyre nëpër tribuna dhe studio televizive “Hapni kutitë! A do e dëgjojë kush këtë kambanë që po tundet sot nga dy duar njëherësh?! Shpejt do ta mësojmë!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›