E Diel, 1 Nëntor 2026

“Maratona rinore”, shpallen fituesit në 9 shkolla të mesme të qytetit

24/05/2010 Elbasan, çmime për kërcimin, këngëtarin, prezantuesin dhe humoristin më të mirë

ELBASAN- Kanë performuar për 10 ditë me radhë 800 nxënës nga 9 shkolla të mesme të Elbasanit në spektaklin “Maratona Rinore” dhe finalja është mbyllur me shpalljen e fituesve. Çmimin si shkolla e mesme e përgjithshme më e mirë e mori “Kostandin Kristoforidhi”, për vallen popullore më të mirë e mori shkolla “Dhaskal Todri” me vallen kosovare “ Pavarësia”, ndërsa për kërcimin më të mirë modern e ka fituar shkolla “Ahmet Dakli”. Po ashtu u përcaktuan çmime për modelin më të mirë, ku u vlerësua Vjola Hoxha, ndërsa këngëtarja më e mirë u cilësua Albana Kackini nxënëse në shkollën “Qemal Stafa” dhe çmimin e parë për interpretimin e humorit më të mirë e mori shkolla “Kristoforidhi”. Në këtë spektakël rinor nuk munguan edhe çmimet për prezantuesit e tij, kështu u vlerësua si prezantuesja më e mirë, maturantja e shkollës “Dhaskal Todri” Elca Myftaraj. Në fund të këtij spektakli kryetari i Bashkisë Qazim Sejdini ka vlerësuar me titullin "Mirënjohja e Qytetit", kompozitorin e njohur elbasanas, Edmond Rrapi, me motivacionin “Për kontributin e punën e palodhur jo vetëm në artin e qytetit, por edhe në zbulimin e talenteve e zërave të rinj, përfaqësues të denjë të Elbasanit në evenimente kombëtare e me gjerë”.

Me regji të Veronika Papës, producent Ilirjan Sulkja, dhe udhëheqës artistik Edmond Rrapi, edhe këtë vit organizatorët shprehen se janë zbuluar shumë talente të reja në fusha të ndryshme artistike. Janë për t’u përgëzuar idetë e shkollave sidomos për risinë e sjellë, pantonimën nga shkolla “Dhaskal Todri” që ishte më shumë se një skenë teatri dhe që elektrizoi spektatorët. Po kështu për t’u vlerësuar janë të gjithë kërcimtarët e muzikës popullore. Është një vlerë e madhe kjo vazhdimësi dhe vallja dhe kënga popullore janë një tjetër perlë e traditës për këtë spektakël rinor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›