PD: Opozita po na provokon që të bllokojë reformën
Një ditë pas debateve në seancën parlamentare për çështjen e bllokimit të reformave, ka ardhur edhe reagimi i Partisë Demokratike. Deputeti Jemin Gjana tha se ka dalë para medias për t’ju përgjigjur sipas tij atyre çka i cilësoi sjellje provokuese me qëllim dhe prapavijë bllokimin e punës në grupin e punës të reformës parlamentare, nga kolegët përfaqësues të opozitës në këtë grup pune.
Provokime dhe natyrë bllokuese, të cilat vijnë si rezultat i risjelljes në tryezë të grupit të punës të amendamenteve të propozuara prej tyre që në shtatorin e vitit të shkuar. Propozime dhe amendime të cilat i ka rrëzuar marrëveshja e nëntorit të vitit 2011. Argumenteve dhe përgjigjeve tona ndaj këtyre amendamenteve nuk i është dhënë përgjigje që nga 28 janari. Është heshtur nga pjesa e përfaqësuesve të opozitës dhe jo vetëm që nuk është reaguar, por edhe janë sjellë pretendime të ndryshme për pamundësinë për tu ulur dhe për të diskutuar në grupin e punës. Ndërkohë në mënyrë krejt të njëanshme është kaluar edhe në mediatizimin e çështjes me qëllim prishjen e frymës së konsensusit, theksoi Gjana.
Në thelb argumentet tona kundërshtuese, tha ai, bazohen në frymën e marrëveshjes të nënshkruar prej dy palëve në 14 nëntor të vitit të shkuar. Marrëveshje, e cila për reformën parlamentare ka patur dakordësinë se nuk mund të ketë amendamente të cilat vijnë dhe janë në thyerje të Kushtetutës së vendit. Nuk mund të ketë amendamente të cilat janë në thyerje të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Nuk mund të ketë amendamente të cilat nuk janë në koherencë vetëm me një rregullore, dhe ajo është rregullorja e Parlamentit Europian. Më konkretisht është provokuar me qëllim për ta penguar, bllokuar, punën në grupin e punës. Duke iu rikthyer kërkesës për votim të fshehtë të dekreteve që kanë të bëjnë me emërimet në sistemin Gjyqësor, kërkesë e cila vjen në kundërshtim me Kushtetutën, me interpretimet e Gjykatës Kushtetuese sepse siç është tashmë e njohur dekretet për emërimin e Kryeministrit, të 15 ministrave, votimi i raporteve e për pasojë dhe votimi i dekreteve, të cilat nuk janë votim për emrin, por janë votim dekretesh të Presidentit për emërimet në Gjyqësor, sqaroi Gjana.
Në mënyrë provokuese, vijoi ai, kërkohet me këto amendamente dhe prapavija është gjithmonë për ta bllokuar punën kur kërkohet që Kuvendit të Shqipërisë ti hiqet mundësia për të gjykuar mbi meritën e kandidaturave që propozohen për në sistemin Gjyqësor. Nuk besoj se ka gjë më të rëndësishme sesa gjykimi mbi meritën e kandidateve nga institucioni i Kuvendit të Shqipërisë, i cili është institucioni që merr vendimin përfundimtar për emërimin e tyre, sesa të gjykojë për meritën e atyre që dërgohen në sistemin gjyqësor, një ndër sistemet më problematike në Shqipëri. Provokohet qëllimshëm duke sjellë amendamente që marrin në mbrojtje dhe nuk lejojnë penalizmin për ata deputete që zaptojnë në mënyrë të dhunshme foltoren e Kuvendit. Shqiptarët e kanë patur rastin të provojnë se çka ndodhur në këto raste. Propozohet thjesht për të bllokuar diskutimet, rivendosja në rendin e ditës të çdo seance plenare, në fillim të saj, diskutimi i lirë 60 minutësh. Ndërkohë që kalimi i kësaj çështjeje në fund të rendit të ditës është vlerësuar pozitivisht në Progres Raportin e Brukselit për vitin 2011
Provokohet duke sjellë dhe risjellë propozimin dhe amendimin që Kryeministrit dhe ministrave tiu kufizohet koha e diskutimit në Kuvend, tha Gjana.