Paditet në prokurori për kanosje ndaj gazetarit Drejtori i Hipotekës në Durrës
Drejtori i Hipotekës së Durrësit, Bedri Luku, është paditur sot në Prokurorinë e Rrethit të Durrësit për kanosje fizike dhe kërcënime me jetë ndaj kryeredaktorit të gazetës Bulevard në Durrës , Artur Llana.
Bedri Luku, i listuar edhe si kandidat për deputet në zgjedhjet e vitit 2009 për Partinë Demokratike, ka kërcënuar me vdekje botuesin e gazetës për shkak të një shkrimi që paralajmëronte shkarkimin e tij nga detyra si Drejtor Hipoteke, për shkak të formulës së koalicionit. Vendin e tij sipas gazetës do ta zërë një drejtues i partisë së çamëve në Durrës, PDIU.
Edhe pse në shkrim nuk ka asnjë fyerje dhe asnjë cenim të drejtuesit për shkak të detyrës, por një burim lajmi që ka dalë nga PD-ja dhe që i kanë uruar emërimin, emrit të përfolur si zëvendësi i tij, Luku e ka gjetur veten i irrituar dhe me gjithë kërkesën e gazetës për ta përgënjeshtruar lajmin, në vend të saj ka zgjedhur kërcënimin. Do të përballem fizikisht dhe unë nuk jam vetëm, Do të eliminoj fizikisht dhe më pas edhe një seri fyerjesh me një fjalor rrugaçi nga nr. i celularit 0672076682, që posedohet nga shtetasi Bedri Luku kanë qenë mënyra e vetme e komunikimit të tij me drejtuesin e gazetës Bulevard.
Pas kësaj z. Artur Llana i është drejtuar prokurorisë, ku ka bërë denoncimin për këtë rast që nuk është i pari ndaj tij. Prokurorja ka marrë si provë thirrjet telefonike dhe natyrisht edhe shkrimin e botuar në gazetë. Bashkë me z. Llana ka qenë dhe një tjetër gazetar që ka konfirmuar atë që ka ndodhur, ndërsa për ngjarjen është njoftuar dhe prefekti i Durrësit. I pyetur rreth kësaj z. Llana është shprehur se ka njoftuar edhe vetë prefektin Alizoti, ndërsa shprehet se ky është rasti i radhës ku drejtues drejtorish edhe për një informacion që del nga partia që i ka emëruar, kërcënojnë me jetë dhe fyejnë me fjalët më banale gazetarët, kur në fakt mund të funksiononte përgënjeshtrimi.
Ndërkohë mësohet se në dispozicion të gazetës Bulevard është vënë një dosje voluminoze që implikon jo vetëm z. Luku, por edhe deputetë dhe bashkëshorte të tyret që kanë punuar si notere. Botuesi i gazetës Bulevard ka vite që është nën presion nga politika, duke zhvilluar rreth 200 seanca gjyqësore dhe së fundi ai vazhdon një gjyq ordiner me Ferdinand Xhaferrajn.
Ja shkrimi për të cilin ka marrë kërcënime gazetari
Shkarkohet drejtori i Hipotekës së Durrësit Bedri Luku. Një përfaqësues i PDIU-së në vend të tij.
Bedri Luku nuk është më drejtuesi i Hipotekës së Durrësit dhe lajmi i përfolur disa javë më parë tashmë ka marrë formën zyrtare. Bedri Luku është shkarkuar nga ky post ndërsa ende nuk është bërë e ditur se cila do të jetë detyra e re e tij. Luku bëhet kështu Brenda një kohe të shkurtër drejtuesi i dytë që shkarkohet, duke pasur shkarkimin e Andi Lilës nga zyra e Legalizimëve. Ndërkohë që burimet kanë bërë të ditur se shkarkimi i tij është bërë për arsye të një marrveshje me partinë e drejtuar nga Shpëtim Idrizi, ndërsa mendohet se emri i cili do të drejtojë hipotekën e Durrësit pas shkarkimit të tij do të jetë ai i Petrit Çerçizit, që deri para dy ditësh ka mbajtur postin e sekretarit të Këshillit të Qarkut. Në fakt të dyja shkarkimet kanë ndodhur në të njëjtën ditë, ndërsa duket se vetëm posti i ri i Çerçizit është konfirmuar, ndërsa vetë Luku ende nuk ka marrë një përgjigje për postin e ri. Burimet bëjnë të ditur se Luku mund të emërohet në Drejtorinë rajonale të patentave, në vend të Goles, por ende kjo nuk është e konfirmuar. Lëvizjet e fundit janë motivuar os emë saktë janë diktuar nga marrveshja që është bërë me PDIU-në, por dhe nga përplasje të ndryshme klanore Brenda PD-ë Durrësit. Luku zëvendësoi në këtë detyrë Doklead Ademin , ndërsa më parë ai ka qenë drejtues i policisë tatimore në Durrës. Largimi i Lukut nuk është pritur mirë nga drejtues të PD-së të cilët e kanë humbur dhë drejtimin e një institucioni të rëndësishëm në Durrës. Aktualisht PDIU-ja ka marrë dy poste të rëndësishme, atë të drejtuesit të Këshillit Bashkiak dhe së fundmi dhe drejtimin e Hipotekës. Ndërkohë duket se PD-ja po konsolidon njerëzit e saj në institucionet vendore që nuk do të lëvizin nga zgjedhjet e vitit që vijnë sido që të jetë rezultati.
