E Diel, 1 Nëntor 2026

PD-PBDNJ, “lojë” shkresash për shkarkimin e Barkës



Eljona Ballhysa
Shkarkimi i ministrit të Punëve dhe Çështjeve Sociale, Kosta Barka, është kthyer së fundi në një “lojë” shkresash nga dy partitë e përfshira në çështje, nga PD-ja dhe PBDNJ-ja. Ndërkohë që shkarkimi, ose jo, i Barkës pritet të vendosë dhe për pozicionin që do të mbajë Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut në koalicion. Burime nga kjo parti kanë bërë të ditur për gazetën se në rast se kryeministri Berisha nuk shkarkon ministrin Barka, atëherë PBDNJ-ja do të shikojë me seriozitet qëndrimin e saj në koalicion me Partinë Demokratike.
Përplasja
I pyetur dje rreth kërkesës së Kryesisë së Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut për të shkarkuar nga posti i ministrit përfaqësuesin e kësaj partie në qeveri, Kosta Barka, kryeministri Berisha është shprehur për gazetarët se ende nuk ka marrë një shkresë zyrtare nga PBDNJ-ja. Madje ai ka bërë të ditur se sapo të marrë kërkesën do ta shqyrtojë atë në përputhje dhe me marrëveshjet ndërpartiake mbi bazën e të cilave funksionon koalicioni. “Sapo të marr kërkesën, unë do ta shqyrtoj. Ky është një koalicion që funksionon mbi bazën e marrëveshjeve ndërpartiake”, - është shprehur Berisha. Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, deputeti Spiro Peçi, ka bërë të ditur dje për gazetën “Albania”, se Kryesia e PBDNJ-së ia ka paraqitur kërkesën me shkrim Berishës që ditën e premte. Madje Peçi ka bërë të ditur se PBDNJ-ja ende nuk ka marrë një përgjigje zyrtare nga kreu i qeverisë. “Vendimi që do të marrë kryeministri Berisha është një zgjedhje e tij. Ne i kemi dërguar që dje kërkesën me shkrim, por ende nuk kemi marrë përgjigje. Jemi në pritje të vendimit të kryeministrit”,- është shprehur përfaqësuesi i kësaj partie, Spiro Peçi.
Debati
Vetëm një ditë më parë, Kryesia e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut vendosi shkarkimin e ministrit Barka. Madje kjo kryesi i ka dërguar një shkresë kryeministrit Berisha, në të cilën kërkon shkarkimin e përfaqësuesit të PBDNJ-së në qeveri dhe zëvendësimin e Barkës me një emër të tjetër të kësaj partie. Burime nga kjo parti kanë bërë të ditur se Barka nuk përfaqëson më interesat e PBDNJ-së, ndaj dhe është kërkuar largimi i tij nga Ekzekutivi. Por pikërisht largimi ose jo i Barkës pritet të jetë përcaktues dhe për qëndrimin që do të mbajë PBDNJ-ja. Pra Kryesia e kësaj partie do të vendosë nëse do të qëndrojë në bashkëqeverisje me PD-në, apo do të largohet nga koalicioni i djathtë. Vendimi i kryeministrit Berisha pritet të jetë vendimtar për të përcaktuar dhe marrëdhënien e ardhshme midis PD-së dhe PBDNJ-së.

Topalli shkon për gratë në Sarandë, merret me burrat në Tiranë

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në kuadër të turit “Gratë për gratë”, ka zhvilluar dje një takim me gratë e qytetit të Sarandës. Gjatë fjalës së mbajtur në këtë takim Topalli ka sulmuar kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama. “Jo më larg se dy ditë më parë dëgjova shokun kryetar të PS-së të fliste për dhunën në familje. Me hipokrizi recitonte për raportet gjinore. Ky shok kishte ngulur fort mbi hundë maskën. Ishte maska që politikanë, burra si puna e tij, e mbajnë fort. Kjo është e keqja e grave në politikë, se u duhet të përballen me maskat. Do përballesh me burra që nuk janë burra. Thonë se janë burra vetëm se fyejnë, shajnë e truajnë. Janë burra që s’kanë familje, që nuk duan familje. Janë burra që kanë rrahur gratë më të afërta të tyre, dhe jo vetëm për vetëm, por edhe në publik. Ai që çon në spital të çarë e të gjakosur familjarët e tij, çdo grua që ka pasur afër, përfshirë edhe nënën. Ai që drejton keq djemtë e rinj, fenomen i burrit pa burrëri, janë më shumë se një arsye që më shumë zonja të jenë në Parlament”, - është shprehur Topalli. Më tej ajo ka bërë thirrje që gratë të angazhohen më shumë në politikë dhe të ketë përfaqësim më të lartë të tyre në sallën e Parlamentit të Shqipërisë, për të luftuar dhunën e ushtruar nga burrat.

PDK: Qeveria ka dështuar me procesin e legalizimeve

Përmes sekretarit të Pushtetit Vendor, Kujtim Gjuzi, PDK-ja konstaton se procesi i legalizimeve po shkon drejt dështimit të plotë, ndërsa vërehet mungesa e bashkëpunimit në koalicionin qeverisës. PDK-ja del kundër qeverisë sa i takon ecurisë së procesit të legalizimit, një ndër reformat më të premtuara gjatë fushatave elektorale të të djathtëve. “Partia Demokristiane vëren se koalicioni qeverisës ka krijuar disa probleme. Kemi lëvizje jo institucionale në reformën legalizuese. Për hir të së vërtetës veprimet informale janë të trashëguara, por premtimet tona elektorale në fushatën e 2005-s kanë qenë që të gjitha lëvizjet informale të kthehen në lëvizje formale dhe të institucionalizuara”, - tha Gjuzi. Në këto kushte PDK-ja mendon se koalicioni qeverisës, me gjithë disa reforma që ka bërë dhe mbështetjen ndërkombëtare që ka pasur, herë pas here tek ai janë vërejtur dhe defekte. “Defekti kryesor vjen në reformën legalizuese, e cila po shkon drejt dështimit. PDK-ja mendon se ka ende kohë për të restauruar reformën legalizuese. Me këtë nuk mund të lë pa përmendur se nuk mundet që në tre vite qeverisje të jepnim vetëm gjashtë tapi në kohë zgjedhjesh apo fushatash elektorale”, - përfundon sekretari i Pushtetit Vendor.

22 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›