E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-PS, 180 konferenca shtypi në 22 ditë

Që prej 22 nëntorit, kur përfundoi mitingu treditor i partive opozitare, politika ka zbritur në shesh. Në 22 ditët që pasuan mitingun e socialistëve, produkti që ka ofruar skena politike janë konferencat e shtypit dhe batutat televizive në distancë. Në gjithë këtë periudhë rezulton të jenë mbajtur mesatarisht 180 konferenca shtypi nga Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, ndërsa Parlamenti është mbledhur vetëm tri herë në seancë. Proporcion që krijon dukshëm tablonë e një politike që zhvillohet në rrugë dhe jo në institucione. Bazuar mbi këto shifra duket qartë se mazhoranca, dashje pa dashje, ka rënë në "lojën" e opozitës duke u zhvendosur në shesh.

Konferencat

Tensioni politik arriti kulmin më 22 nëntor, kur Partia Socialiste vendosi një ultimatum dhjetëditor për mazhorancën, ku kërkohej hapja e kutive të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Në mungesë të një përgjigjeje pozitive, kreu i mazhorancës organizoi sulmin e pandalshëm ndaj kreut të opozitës dhe në tërësi grupit parlamentar. Deklaratave të kampit të mazhorancës i erdhi "pushkë më pushkë" reagimi i Partisë Socialiste. Aq sa selitë respektive filluan të monitorojnë kujdesshëm televizionet për t‘i vënë çdo deklarate një kundërdeklaratë. Mesatarisht në këto 22 ditë janë zhvilluar nga 4-5 konferenca shtypi në secilën prej selive të partive kryesore politike në vend. Çka do të thotë se në një llogaritje paraprake, çdo parti ka bërë në kaq ditë rreth 90 konferenca. Me këtë llogaritje lihen mënjanë replikat e klasit të parë mes Kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të opozitës, Edi Rama.

Seancat

Bazuar mbi informacionin që ofron faqja zyrtare e internetit të Kuvendit të Shqipërisë, rezulton se që prej konstituimit më 7 shtator janë zhvilluar në total 15 seanca. Pas përshkallëzimit të luftës politike dhe protestës treditore të opozitës, Parlamenti është mbledhur në seancë vetëm tri herë. Në seancën e datës 26 nëntor, deputetët miratuan nen për nen projektligjin "Për buxhetin e shtetit për vitin 2010". U shkarkua Këshilli Drejtues i Entit Rregullator të Telekomunikacioneve dhe u emërua Këshilli Drejtues i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare me kryetar z.Pirro Xhixho dhe anëtarë znj.Alketa Mukavelati, znj.Zamira Nurçe, z.Ibsen Elezi dhe z.Benon Paloka. Në seancën e datës 3 dhjetor, Kuvendi miratoi projektligjin "Për disa ndryshime dhe shtesa të ligjit nr.9284, datë 30.09.2004, "Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar", ose siç njihet ndryshe "Ligji Antimafie". Në seancën e datës 10 dhjetor, Kuvendi miratoi projektligjin "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9072, datë 22.05.2003, ‘Për sektorin e energjisë elektrike të ndryshuar‘"; projektligjin "Për fondet e pensionit vullnetar"; projektligjin "Për sipërmarrjet dhe investimet kolektive" dhe vendimin e Kuvendit "Për përcaktimin e masës së përfitimit financiar mujor për shërbimin e transportit të deputetëve".

D.M.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›