E Shtunë, 31 Tetor 2026

Juve: Pas Barit, Ferrara rrezikon

Po tani çfarë do të bëjë Juventusi? Skuadra do t‘i qëndrojë idesë për të mbajtur deri në fund të sezonit Ferrarën apo do të kërkojë një goditje të madhe, që mund ta rikthejë skuadrën në identitet, që duket se e ka humbur? Të shtunën në mbrëmje, Juventusi e ka kuptuar se problemi i tij nuk është vetëm Diego. Ka pësuar një humbje të rëndë, është shkatërruar nga Bari, që në fushë di shumë mirë se ç farë duhet të bëjë. Ndërsa Juve jo. Duke filluar nga përdorimi i brazilianit Diego, mbrëmja e së shtunës ndoshta ishte ndeshja e tij më e keqe sezonale. Diego e ka shijuar lirshmërinë e tij, ndërsa Donati jo vetëm që ka ushtruar presing, por shpesh ka preferuar ta markojë në distancë. Përveç kësaj, lojtari, i paguar 25 milionë euro nga Juventusi, nuk ka mundur të hyjë në një ndeshje, madje edhe në ato pak goditje dënimi, topi përfundonte disa metra mbi traversë. Por nëse Juventusi do të duhej të përqendrohej vetëm te këto, do të gabohej rëndë. Ferrara është gjendur përpara një sërë mëkatesh të rënda dhe, edhe ai do të gabonte rëndë, nëse do të kërkonte që në këtë transfertë të gjente se cilët janë fajtorët për lojën e shëmtuar. Mbrojtja ishte një nga repartet që kapej shpesh në kundërkohë. Ishte shumë e ngadaltë në momentet deçizive. Mesfusha dështoi në ndërtimin e lojës, mungonte pika e referimit, njeriu i pasit të fundit. Dhe duke mos u mbështetur nga një manovër e rrjedhshme dhe efikase, çmimi për t‘u paguar është i madh. Dhe pastaj dikush duhet të na shpjegojë se çfarë i ka ndodhur Amaurit. Nuk ndikon më në lojë, nuk fiton më as dyluftimet e forcës, nuk i ndjek madje as aksionet. Ky është një Juventus që vuan. "Të tmerrshme". Kështu i përkufizon Lapo Elkan dy ndeshjet e fundit të Juves. "Gjyshit tim do t‘i kishte pëlqyer Juventusi që mundi Interin, shpjegon ai. Por nuk do t‘i kishte pëlqyer aspak Juventusi kundër Bajernit dhe as ndaj Barit. Si tifoz, them se Juventusi ka një histori të madhe. Tani duhet një rinisje në binarët e duhur. Dy ndeshjet e fundit për një tifoz si unë janë të tmerrshme. Nuk janë ndeshje nga Juventusi i vërtetë, nuk janë prej një skuadre, por nga një ekip tjetër që thjesht mban të veshur bluzën e Juventusit". Nipi i avokatit Xhani Anjeli sulmon ashpër skuadrën. "Kjo është koha që lojtarët të marrin një vendim. Juve nuk është një skuadër e vogël, ka një histori. Lojtarët nuk po e nderojnë këtë histori, nuk po japin më të mirën dhe kjo është e papranueshme. Nuk është pranueshme të eliminohemi nga Champions kundër Bajernit tri ditë pas fitores me Interin. Nuk është e pranueshme të humbasim 3-1 me Barin. Do të më pëlqente që t‘i bëhej një dush i ftohtë për atë që janë në dhomat e zhveshjes. Do të më pëlqente të shikoja një skuadër luftarake, më kompakte. Është e papranueshme të vazhdohet kështu".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›