Itali, përgjaket Silvio Berluskoni
Kryeministri italian, Silvio Berluskoni, është goditur në fytyrë nga një protestues menjëherë pas mitingut të mbajtur në sheshin "Duomo" në Milano. Ndërsa përpiqej të përshëndeste turmën e fansave që e kishin rrethuar, Kryeministri është goditur (me një mjet të fortë apo grusht nuk dihet ende) nga një burrë në fytyrë. Sipas informacioneve të para, të shpërndara në mediat vendase, mes turmës së njerëzve, ku Berluskoni ishte duke firmosur autografe, ishte infiltruar edhe një burrë rreth të dyzetave i cili, pasi u kishte shpëtuar truprojave të Kryeministrit dhe kishte arritur të shkonte deri në vendin ku ishte parkuar makina e Kryeministrit, e kishte goditur atë. Në fillim, numri një i politikës italiane ishte rrëzuar, pastaj është futur brenda në makinë nga njerëzit e eskortës, ndërsa agjentët e tjerë të policisë kanë arritur të kapin agresorin mes turmës që, sipas disa agjencive lajmesh, mbante në dorë një statujë në miniaturë të "Duomos". Kryeministri u dërgua menjëherë në spitalin "San Raffaele", ndërsa fotot e tij me gojën e gjakosur dhe një plagë nën sy, bënë në çast xhiron e botës. Sipas informacioneve të dhëna nga "La Repubblica", Berluskoni është goditur nga një objekt i fortë prej metali, një statujë suvenir, ndërsa sipas disa dëshmitarëve, ai është goditur me grusht në fytyrë. Megjithatë, nuk dihet asgjë me saktësi. Edhe pas goditjes, lideri i politikës italiane ka dashur të dalë nga makina për të përshëndetur mbështetësit dhe më pas është drejtuar menjëherë për në spital, për të marrë ndihmën e parë. Sipas burimeve nga karabinierët, emri i agresorit është Massimo Tartaglia, i datëlindjes 1967, nga Milano, i cili prej dhjetë vjetësh kurohet për probleme me shëndetin mendor.
Pas incidentit, duket se ka reaguar menjëherë politika italiane. Umberto Bosi e ka cilësuar ngjarjen si një akt terrorist. Ndërsa zëvendëssekretari i PD, Enrico Letta, ka deklaruar se "ky gjest dhune, pre e të cilit u bë Kryeministri italian, është për të ardhur turp. Dënojmë çdo veprim të tillë dhe jemi tërësisht kundër këtyre formave protestuese". Nga ana tjetër, Romano Prodi është shprehur se: "Dhuna në politikë është e patolerueshme dhe është akoma më shumë gjatë zhvillimit të manifestimeve paqësore. Bashkohemi me Berluskonin në këto momente. I uroj shërim tw shpejtë". Sipas burimeve të para nga spitali, Kryeministri do të qëndrojë nën vëzhgim mjekësor për 24 orët në vazhdim. Ai nuk ka asgjë serioze për jetën dhe po i nënshtrohet analizave të tjera nën vëzhgimin e mjekëve të besuar. "Berluskoni u paraqit në spital i shtrirë në një barelë me një qeskë me akull në fytyrë, por krejtësisht i ndërgjegjshëm", deklaruan dëshmitarët.